Presidenti Duka priti në një takim Shefin e Misionit Diplomatik të Algjerisë në Shqipëri, Ridha Nebais - FSHF

Presidenti Duka priti në një takim Shefin e Misionit Diplomatik të Algjerisë në Shqipëri, Ridha Nebais

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka pritur sot në një takim Shefin e Misionit Diplomatik të Algjerisë në Shqipëri, z. Ridha Nebais.

Presidenti Duka e njohur z. Nebais me investimin madhor të realizuar në Shtëpinë e Futbollit, ku ndodhen selia e Federatës së Futbollit bashkë me dy stadiumet me qendrën e fizioterapisë dhe fitnesit, që tashmë kanë përfunduar thuajse totalisht dhe kanë hapur dyert për stërvitjen e ekipeve Kombëtare.

Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit e njohur diplomatin algjerian me zhvillimet e mëdha sportive dhe infrastrukturore që kanë ndodhur në dekadën e fundit falë edhe këmbënguljes dhe mbështetjes së FSHF-së.

Nga ana e tij, Shefi i Misionit Diplomatik të Algjerisë vlerësoi investimet e rëndësishme që ka kryer dhe po kryen Federata Shqiptare e Futbollit, siç është edhe kompleksi i Shtëpisë së Futbollit, dhe iniciativat e vazhdueshme që kanë transformuar futbollin shqiptar në drejtim të cilësisë. Presidenti Duka priti me kënaqësi ftesën e Ambasadorit Nebais për të vizituar Algjerinë dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi ndërmjet dy federatave për të pasur më shumë ndeshje miqësore sëbashku dhe shkëmbyer eksperienca të vyera.

Gjatë takimit, Presidenti Duka shkëmbeu mendime me diplomatin algjerian për fushat e mundshme të bashkëpunimit mes palëve dhe për projekte eventuale për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar.