Presidenti Duka bën bilancin e Kombëtares: Edicion i suksesshëm, ekip i rinovuar & premtues   - FSHF

Presidenti Duka bën bilancin e Kombëtares: Edicion i suksesshëm, ekip i rinovuar & premtues  

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dalë këtë të shtunë në një konferencë për media, ku ka folur në lidhje me aktivitetet e ekipeve Kombëtare për vitin 2021.

Në konferencën e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Air Albania”, presidenti Duka bëri një analizë për të gjithë ecurinë e ekipeve Kombëtare për meshkuj dhe femra, duke nisur nga ekipet A e duke vijuar më tej tek ekipet zinxhirë të moshave. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u ndal më së shumti tek ekipi A i meshkujve, ku foli për edicionin e zhvilluar nga kuqezinjtë në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ku Kombëtarja arriti një rekord pikësh, për kontratën me trajnerin Reja, lojtarët e Kombëtares, objektivat në kualifikueset e ardhshme si dhe për disa tema të tjera.

Fillimisht, Presidenti Armand Duka bëri një hyrje të shkurtër, teksa foli me shifra konkrete mbi aktivitetin e ekipeve Kombëtare përgjatë këtij viti e më tej iu përgjigj edhe interesit të mediave.

Më poshtë edhe një përmbledhje e konferencës për shtyp të kreut të qeverisë së futbollit shqiptar:

 

“Nuk është e zakonshme që në fund të një edicioni të bëjmë një konferencë për shtyp, por zakonisht bëhen analiza të brendshme në institucion dhe për të nxjerrë detyrat për të ardhmen. Por duke pasur parasysh që pas përfundimit, kryesisht të aktiviteteve të ekipeve Kombëtare dhe të Kombëtares A, ka pasur një lloj interesi për të pasur prononcime, shpjegime apo sqarime dhe për të mos qenë të njëanshëm në një apo tjetër media, menduam të bëjmë këtë konferencë për të analizuar dhe për të bërë transparente aktivitetin e ekipeve Kombëtare për vitin 2021 dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve tuaja.

Shumë shkurt, do të doja të thoja që aktivitetet në përgjithësi të ekipeve Kombëtare të këtij viti kanë qenë në numër të shumta, pavarësisht se në një periudhë jo të lehtë, sepse kemi punuar nën kërcënimin e virusit që dhe na ka infektuar në disa nivele, lojtarë, teknikë, stafe. Por gjithsesi, është realizuar një numër i konsiderueshëm seleksionimesh, ndeshjesh miqësore dhe janë shumë. Për dikë që nuk merret shumë me futboll, mund të duket e çuditshme, por një ekip i moshave U-17 apo U-19 gjatë 2021 ka zhvilluar më shumë se 70 ditë stërvitje, duke i bashkuar bashkë me ndeshjet dhe seleksionimet.

E njëjta gjë është bërë me të gjitha ekipet, duke nisur nga U-15 deri tek U-21, pa përmendur këtu A-në si dhe femrat. Detyra apo objektivi kryesor i ekipeve të meshkujve dhe femrave është që të prodhojë, ndihmojë dhe të shtyjë sa më shumë elemente për të qenë pjesë e ekipeve Kombëtare A, gjë të cilën mendoj se e kanë bërë me sukses. Gjithashtu, nuk mund të rritesh pa rezultat, pasi rezultati është i rëndësishëm për rritjen e futbollistëve dhe për të treguar nivelin e futbollit të vendit, që nuk ka munguar gjatë 2021. Nuk mund të themi që është në nivelet e objektivave maksimale, por i kënaqshëm. U-17 dhe U-19 e femrave dhe meshkujve kanë bërë paraqitje të mira. Vazhdon edicioni për U-21, të cilët kanë humbur dhe kanë fituar gjysmën e ndeshjeve, por gjithsesi ekipi është premtues dhe ka emra që mund të jenë gati për të qenë në 2022 tek ekipi i parë. Edhe për ekipin A të femrave vazhdon edicioni.

Sa i përket ekipit A, edicioni i eliminatoreve të vlefshme për kampionatin botëror “Katar 2022”, do ta konsideroja të suksesshëm dhe çdo njeri me objektivitet dhe që e njeh futbollin do ta konsideronte të tillë. Ekipi Kombëtar ka grumbulluar 18 pikë, si asnjëherë në histori më parë, ka bërë 6 fitore dhe 4 humbje. Ka pasur paraqitje pozitive, ka rinovuar ekipin dhe ka elemente të rinj dhe është premtues për të ardhmen. I gjithë stafi, që nga drejtuesit e Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, stafi teknik, futbollistët janë të gjithë bashkë që arrijnë rezultatet. Stafi dhe trajneri kanë bërë një punë të kënaqshme dhe kanë ndihmuar ekipin në arritjen e rezultateve. Objektivi real që në fillim kur u hodh shorti ka qenë që të ishim në vendin e tretë. Padyshim që është luftuar për të qenë në Kupën e Botës, për të pasur një vend në play-off. Ishim shumë afër, mund t’i kishim arritur, por për disa arsye, jo vetëm sportive, por edhe nga Covid-i, ku disa nga futbollistët u prekën në ndeshjen ndaj Polonisë dhe nuk arritëm të ishim në play-off për Kupën e Botës.

Nota për Kombëtaren – Në futboll edhe finalisti i Kupës së Botës nuk mund të marrë notën 10. Kështu që në këtë kualifikuese, është e vështirë të bësh matematikë me lojën. Vlerësimet janë subjektive, por me bindje nga 1-10 do t’i vija notën 8.

Kontrata e trajnerit Reja? – Ne kemi filluar një projekt me trajnerin dhe me stafin e ekipit kombëtar, jo thjesht për të drejtuar ekipin, por kemi ndërtuar edhe disa departamente. Pjesë e stafit të ekipit kombëtar janë edhe drejtues të departamenteve në FSHF. Preparatori fizik është edhe drejtor i departamentit të përgatitjes fizike, që është një lloj profesioni që në Shqipëri na ka munguar. Këtë e kemi filluar me Febbrarin, i cili ka zhvilluar disa kurse. E njëjta gjë është me drejtorin Stesina dhe me drejtorin e video-analizës.

Pra, është një projekt i filluar që nuk mund të ndërpritet dhe nuk mund të marrim frytet një projekti të përbashkët që ka nisur një vit më parë. Kontrata përfundon në 30 nëntor të vitit 2022 dhe kemi kohë për të menduar për projektin e të ardhmes.

Më 16 dhjetor hidhet shorti Nations League që i zhvillon ndeshjet në qershor dhe në shtator e tetor. Kontrata nuk është një marrëdhënie e njëanshme, por e dyanshme dhe këtë gjë nuk mund ta them vetëm unë. Pasi të mbarojë edicioni i Nations League kemi kohë të mendojmë për të vazhduar ose jo me trajnerin. Ajo që unë mendoj është se Reja e ka ndihmuar ekipin shqiptar. Gjatë kësaj kohe ekipi jo vetëm ka grumbulluar 18 pikë, vendin e tretë në grup, ka fituar grupin në Nations League dhe nga Liga C do të jemi në Liga B në edicionin e ardhshëm. Ka prodhuar më shumë futboll dhe i ka kënaqur njerëzit me lojë. Të gjithë u mërziten me rezultatin në Poloni, por të gjithë thonin që ishin të kënaqur me lojën. Për mua, trajneri Reja e ka ndihmuar maksimalisht ekipin për të qenë me këto rezultate.

Situata në Kombëtare dhe ‘çështja Broja’ – Edhe në një familje me 3 fëmijë ka debate, ka konflikte, por prindi mundohet që t’i edukojë ato sa më mirë dhe t’i rrisë sa më mirë dhe për të qenë një familje e mirë. Edhe brenda një ekipi, në 2021 janë grumbulluar dhe janë trajnuar rreth 40 futbollistë dhe pa dyshim që në ndonjë rast ka dhe konflikte dhe kur je i palumtur, kjo është “e mirë”, sepse kjo tregon që ke ego për të arritur më shumë. Ai që nuk është në pankinë, është i palumtur sepse pretendon të jetë dhe nëse kjo është pozitive e ndihmon zhvillimin e futbollit. ai që është në pankinë do të jetë në fushë. Në vija të përgjithshme, mendoj se kemi një ekip të mirë, çuna të edukuar. Nuk mund të bëj krahasime me ekipet e tjera, por kemi djem të seleksionuar maksimalisht jo vetëm nga pikëpamja sportive, por edhe nga ana disiplinore.

Bëhet fjalë për Armando Brojën, i cili nuk ishte prezent në ndeshjen me Anglinë. Asnjë trajner dhe asnjë president nuk mund të lërë pa bërë më të mirën për të maksimumin nga ekipi i tij. Broja nuk ishte pjesë e ekipit në Angli, sepse ishte i dëmtuar dhe i është bashkuar ekipit një ditë përpara në Londër dhe ka zhvilluar stërvitje individuale dhe për këtë arsye trajneri ka vendosur, sepse dyshonte te gjendja e tij fizike dhe për arsye të respektit të ekipit, që kishte një javë i grumbulluar. Në futboll është më i rëndësishëm ekipi sesa individi, pastaj individët bëjnë ekipin. Fakti i jep të drejtë trajnerit sepse vetë Broja ka kërkuar që të qëndrojë tek ekipi, sepse nuk ishte gati për ndeshjen me Andorrën. Gjërat e tjera janë histori. Armando Broja është një super talent për ne, një djalë i shkëlqyer, vetëm 20 vjeç dhe besoj se do ta ndihmojë ekipin dhe për të paktën 10 vitet e ardhshme.

Çdo individ ka veçoritë e veta dhe duhet të menaxhohet brenda ekipit me veçoritë që ka, qofshin ato karakteriale, sportive, etj. Me synimin dhe objektivin final që ai të të japë maksimumin e asaj që ka sportivisht në fushën e lojës. Nuk jemi të gjithë njësoj, u mundova ta krahasoj me familjen. Një fëmijë mbase e do një të bërtitur, kurse një tjetër do që t’i bësh të ndihet i rëndësishëm dhe ai prodhon më shumë. Kështu që një trajner i mirë është ai që di të sillet në mënyrë të atillë me të gjithë, që t’i bëjë ata të japin maksimumin.

Për t’u kthyer edhe një herë te Broja, është një talent që do mirëmenaxhaur dhe është vetëm 20 vjeç. Unë besoj që edhe ai vet duhet ta mirëmenaxhojë situatën së bashku me ne, por fatmirësisht apo fatkeqësisht është edhe familja e tij që është shumë prezente në aktivitetin e tij sportiv. Shumica jonë që jemi këtu e që e ndjekim prej shumë kohësh futbollin, asnjë nga ju besoj nuk e di as emrin dhe nuk e njeh babanë as të Gjimshitit, as të Etrit Berishës, as Ervin Skelës, as të Altin Lalës. Kurse babanë e Brojës e njihni të gjithë.

Akuzat që i bëhen Rejës për Brojën? – Asnjë gjë nuk ka të vërtetë. Janë të gjitha sajesa, nuk ka asnjë lidhje, por nëse trajnerit mundohet të ndihmojë çdo futbollist për t’u rritur, kjo nuk ka asnjë të keqe, por këtu nuk ka asnjë të vërtetë. Dhe këtë legjendë e kam dëgjuar gjithkund, që ‘trajneri i tha Brojës të shkonte tek Udineze dhe ky është skandal’.

E ndërtojnë vetë skandalin, janë mjeshtra për ta ndërtuar argumentin, skandalin dhe për ta luftuar vetë skandalin imagjinar që kanë ndërtuar këtu. Nuk ka asnjë të vërtetë, asnjëherë në asnjë rast Edy Reja nuk i ka thënë, nuk ka biseduar me asnjë njeri që Broja të shkojë këtu apo atje. Nëse ka diskutuar me djalin se çfarë shansesh ke për klubin, ku do të shkosh të luash vitin tjetër, kjo është thjesht pjesë e punës së tij.

A besoni te grupi i lojtarëve dhe trajneri? – Unë kisha bindje që do ta arrinim play-off-in edhe në kualifikuese. Fati nuk ka qenë me ne, qoftë në ndeshjen në Poloni, por edhe faktorë të tjerë e kanë mohuar rezultatin pozitiv në Poloni. Fati nuk ka qenë me ne as në Tiranë. I kemi të gjitha mundësitë. Ne kemi një ekip të mirë nga pikëpamja cilësorë, futbollistët tanë luajnë në ekipe të mira dhe kemi edhe të rinj të tjerë që duhet të afrohen. Nuk pretendoj që jam teknik futbolli, por të gjithë ne i dallojmë ata që spikasin. Në ndeshjen e fundit të U-21, për mua, të paktën 2 futbollistë janë gati të jenë në ekip Kombëtar, të cilët mund ta ndihmojnë dhe në pozicionet kyçe, ku mbase ne jemi me pikëpyetje. Është shumë e mundur që të arrijmë në Europian, pasi janë 24 skuadra, thuajse dyfishi i Botërorit. Mundësitë janë më të mëdha. Ekipin e kemi të mirë dhe presim ta kemi edhe më të mirë.

Stadiumet në vend – Në stadiumin e tij nuk luan Kukësi, që po ndërton stadiumin e ri dhe kjo është diçka serioze, më shumë se serioze në fakt sepse Kukësi as nuk e ka ëndërruar një stadium të tillë. Dhë të ndërtosh një stadium si ai, pa dyshim që duhet të luash jashtë. Skuadër tjetër që luan jashtë është Teuta që po rinovon fushën e saj dhe në çdo rast që fusha rinovohet, është vendim i vetë klubit. Nuk e ka rinovuar kur ishte e angazhuar me Kupat e Europës dhe po e rinovon tani, në fazën e parë. Pjesa tjetër e ekipeve të Superiores luajnë në shtëpinë e tyre.

Kjo nuk do të thotë që Shqipëria ka një infrastrukturë perfekte, por ka një infrastrukturë të kënaqshme për lojën. Ajo që ne duhet të jemi kërkues dhe ajo që mungon është infrastruktura për t’u stërvitur, fushat e stërvitjes dhe për fëmijë, që na mungojnë në numër dhe në kualitet. Dhe për këtë ne kemi një projekt që është shpallur dhe ka filluar, ndërtimi i 100 fushave me bar natyral. Por nuk është detyrë e FSHF-së që të ndryshojë infrastrukturën dhe fushat e stërvitjes dhe të stadiumeve, por detyrë e pushteteve vendore dhe qendrore.

Rikandidim në krye të FSHF-së? – Kur të vendoset për t’u zhvilluar Asambleja, do të ta jap këtë përgjigje.

Analizë me stafin për ndeshjet e Kombëtares – Drejtoria teknike bashkë me stafin bëjnë analizë pas çdo ndeshje dhe pa dyshim që do bëjnë teknikisht edhe pas këtij edicioni. Jemi në kohë të përdorimit të mjeteve digjitale, dhe tani vjen informacioni që para se të mbarojë ndeshja. Stafi ynë i raporton klubit ku shkon futbollisti se sa ngarkesë ka marrë, çfarë ka bërë, në mënyrë që të bashkërendojmë me klubet dhe futbollisti të ketë një të ardhme.

Peng goli i Uzunit në Uembli apo rasti i Manaj në Tiranë? – Kjo është lojë gabimesh, por mjafton që të bësh maksimumin për të arritur rezultatin. Pengu më i madh është rezultati pozitiv në Tiranë pasi do na dërgonte në play-off.

Bashkëpunimi mes stafit U-21 dhe stafit të ekipit A – Trajneri Bushi kërkon vazhdimisht që t’i dërgohen lojtarë si Kumbulla dhe Broja, pasi thotë që nëse ka ata, atëherë ekipi mund të kualifikohet. Por, ai që vendos gjithmonë është ekipi A. Bashkë me vullnetin apo vendimin e trajnerit të ekipit A, është edhe dëshira e futbollistit që dëshiron të luajë në ekip A. Dhe t’i mohosh të drejtën një futbollisti të luajë në ekip A për të marrë disa pikë, nuk është e drejtë.

Por kur ekipi A është pushim, apo ka miqësore, kjo gjë ka ndodhur. Rasti i Muçit në këto ndeshjet e fundit, ku kaloi tek ekipi A dhe më pas tek U-21 dhe u rikthye sërish tek A-ja sepse ekipi u përgjysmua. Reja dhe stafi i tij njohin dhe analizojnë e mbështesin çdo individ nga U-15 e lart dhe çdo trajner jo vetëm tek ekipet kombëtare por edhe të përfaqësueseve rajonale. Ata janë prezentë në të gjitha seleksionimet brenda dhe jashtë vendit. Pasi ne bëjmë seleksionime në të gjitha ato vende ku ka shqiptarë, Itali, Zvicër, Angli etj. Reja është në një moshë të madhe por mënyra se si mendon për të ardhmen të duket sikur është 40 vjeç.

Trajner shqiptar për Kombëtaren – Padyshim e kam konsideruar disa herë, e kam menduar dhe është koha që mund ta bëjë një trajner shqiptar. Nuk është se realisht kam një emër të veçantë që mund të them, por padyshim që po. E rëndësishme është që trajneri të bëjë ato detyra që ka pavarësisht nga pasaporta që ka. Trajnerët e ekipeve zinxhir të moshave? Të gjithë kanë bërë maksimumin e tyre. Mbase për arsye të eksperiencës së pamjaftueshme, mbase për probleme të tjera nuk arrit maksimalen e tyre. Unë kam parë ndeshjet e U-17-s, kam parë gjysmën e ndeshjeve të U-19-s, sepse kanë përkuar me ndeshjen tonë në Angli, kam parë edhe U-21-shin dhe mund të them që U-17 dhe U-21 për përbërjen që kanë meritojnë shumë më shumë në klasifikim.

Lamtumira e Taulant Xhakës – Në fakt, e kam shprehur publikisht që më vjen keq që nuk e kemi më dhe realisht nuk kemi një luftëtar të tillë në mesfushë si Taulanti. Për aq kohë sa ka qenë në ekipin Kombëtar ka kontribuar maksimalisht, për aq kohë sa ka qenë në fushë ka dhënë maksimumin dhe ju e keni parë të gjithë. Kohët e fundit nuk ka pasur mundësi për shkak të dëmtimeve. Ka bërë një ndërhyrje, ka qëndruar për shumë muaj jashtë fushave të lojës, jo vetëm larg ekipit Kombëtar, duke mos e ndjerë veten mirë nuk ka qenë i gatshëm për ekipin Kombëtar. Unë kam biseduar me të dhe para se të vendoste për t’i dhënë lamtumirën Kombëtares, por ai e ka marrë këtë vendim duke parë veten se nuk mund ta ndihmojë më skuadrën.

E vlerësoj maksimalisht për atë që Taulanti ka dhënë për ekipin kombëtar, ka qenë pjesë e historisë së ndritur të Kombëtares shqiptare të paktën deri më tani, sepse është një futbollist i cili është aktivizuar në finalet e EURO “Francë 2016”. Duhet ta falënderojmë të gjithë bashkë për atë që ka dhënë dhe t’i urojmë suksese në pjesën e mbetur, sepse ka shumë për t’i dhënë futbollit. Qoftë futbollit të luajtur në klub apo edhe në botën e trajnimit më vonë.