Përgatitjet për Europianin / Shqipëria U-17 mat forcat me kombëtaren U-18 në miqësore - FSHF

Përgatitjet për Europianin / Shqipëria U-17 mat forcat me kombëtaren U-18 në miqësore

Një tjetër miqësore kuqezinjsh është planifikuar të luhet në muajin gusht. Ekipi Kombëtar U-17 i drejtuar nga tekniku Ervin Bulku do të përballet me Kombëtaren U-18 të Ardi Beharit më 8 gusht, me takimin që do të nisë në ora 18:00 e që do të zhvillohet në stadiumin “Shkumbini”, në Peqin.

Bulku dhe Behari kërkojnë të shohin dhe të testojnë në këtë sfidë elementët që kanë në skuadër dhe të shohin nivelin e tyre. Trajnerët kuqezinj kanë zhvilluar disa herë seleksionime dhe grumbullime brenda dhe jashtë vendit si dhe disa ndeshje me kundërshtarë të huaj.

Shqipëria U-18 ka nisur ditën e sotme grumbullimin dhe po përgatitet për miqësoren që do të zhvillojë më 12 gusht kundër Italisë, një skuadër prestigjioze, ku trajneri Behari do të ketë mundësinë të shohë nivelin e grupit që ai drejton. Sfida ndaj axurrëve do të zhvillohet në Koverçano dhe do të nisë në ora 18:00.

Ndërsa Bulku po shfrytëzon më së miri mundësitë që po i jepen, ku pas seancës stërvitore që zhvilloi më 4 gusht në Kamëz, me lojtarë të kampionatit shqiptar, do të zhvillojë këtë miqësore kundër nën 18 vjeçarëve, që do t’i shërbejnë për të kolauduar grupin final që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022 për moshën U-17.