Përfaqësueset Rajonale / Sulejman Mema: Seleksionimet, të vlefshme! Shumë lojtarë janë sot pjesë e ekipeve kombëtare - FSHF

Përfaqësueset Rajonale / Sulejman Mema: Seleksionimet, të vlefshme! Shumë lojtarë janë sot pjesë e ekipeve kombëtare

Prej ditës së hënë, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur seleksionimet me lojtarët e rinj të grupmoshave U-11, U-12 dhe U-13 në zonën e Tiranës dhe Durrësit. Seleksionimet vijuan edhe përgjatë ditës së sotme në këto dy zona, ndërsa do të zhvillohen edhe nesër, për të vazhduar më pas edhe në të gjithë Shqipërinë. Qëllimi i këtyre seleksionimeve të përvitshme është të evidentohen që në bazë futbollistët e rinj.

Specialisti i ekipeve kombëtare, ish-trajneri i njohur Sulejman Mema tregon për fshf.org se sa të vlefshme janë këto seleksionime, ndërsa thekson se nga ekipet rajonale kanë dalë edhe futbollistë që sot janë pjesë e ekipeve kombëtare.

‘Mund të them që kanë vlejtur shumë dhe do të vlejnë edhe për të ardhmen sepse shikoj performancën e këtyre futbollistëve që ne i kemi edhe tek ekipet kombëtare që ne përfaqësohemi, jo vetëm tek ekipet zinxhir, por edhe te kombëtarja e të rriturve, pasi janë bërë seleksionime edhe jashtë. Ka lojtarë që kanë dalë nga këto seleksionime të rajonaleve edhe tek ekipi U-17, që doli edhe në Elite Round në Kampionatin Europian, ku shumica e futbollistëve kanë qenë edhe pjesë e këtyre seleksionimeve rajonale që ne zhvillojmë. Ky është një lloj stimulimi për të gjithë futbollistët e grupmoshave. Këtë vit ne po merremi me seleksionimin e tre vitlindjeve, 2011, 2010 dhe 2009, këto dy të fundit janë seleksionuar edhe më parë. Është një punë e mirë pasi gjithmonë bazohemi tek elementët që performojnë në rajonale dhe për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare. Po i referohem Durrësit dje, jemi në një përqindje të barabartë me seleksionimet që kemi bërë edhe vjet, dikush nga lojtarët që ka qenë vjet pjesë e seleksionimeve është edhe këtë vit, në një grupmoshë tjetër dhe ndoshta nesër do të jetë edhe pjesë e ekipeve kombëtare’.

Konkretisht, profesor Mema përmend edhe emra që kanë dalë nga këto seleksionime, si Kurti, i cili mban sot shiritin e kapitenit në ekipin kombëtar U-17, por edhe Kashari, Damini e Çela. Ai vlerëson edhe punën e trajnerëve të bërë në të gjitha rajonet e Shqipërisë.

‘Po i referohem ekipit kombëtar U-17, që bëri një sezon të mirë dhe tashmë është edhe në Elite Round. Lojtarë si Kurti, Kashari, Damini, Çela e shumë të tjerë e që sot janë pjesë e ekipit kombëtar kanë dalë pikërisht nga përfaqësueset rajonale. Kanë bërë mirë këtu, por puna e trajnerëve në këto ekipe, them se janë në rrugë të mbarë. Është puna e mirë e trajnerëve që bën që lojtarët të rriten nga ana kualitative. Ne shikojmë një lojtar që është i mençur, që ka vlera nga ana teknike dhe që është i shpejtë. Pa lënë mënjanë pjesën e staturës, pasi sot futbolli është i lartë dhe duhet staturë e lartë dhe nivel i lartë fizik për t’i përballuar kundërshtarët që do të kemi përballë’ – thotë Sulejman Mema, i cili më tej tregon edhe se në cilat zona të tjera do të bëhen seleksionimet e futbollistëve të rinj. ‘Janë të gjitha zonat, Lezha, Fieri, Gjirokastra, Shkodra, Korça, Elbasani, ndoshta edhe i Preshevës, që është edhe rajoni i 9-të ku ne bëjmë seleksionime të futbollistëve të rinj’ – përfundon profesor Sulejman Mema.