Pas turneut të rajonaleve / Kombëtarja U-15, seleksionim 1-ditor me 40 lojtarë të vitlindjes 2009 - FSHF

Pas turneut të rajonaleve / Kombëtarja U-15, seleksionim 1-ditor me 40 lojtarë të vitlindjes 2009

Të gjitha stafet e ekipeve kombëtare të moshave kanë nisur vrullshëm punën këtë vit sipas programit duke organizuar ndeshje miqësore, grumbullime e seleksionim me lojtarë ta talentuar nga të gjithë moshat që aktivizohen qoftë në Shqipëri e qoftë jashtë vendit.

Pas Kombëtareve U-16, U-17 apo U-19, këtë herë është radha e Kombëtares U-15 të dalë në fushë në mesjavë për një seleksionim 1-ditor, që do të zhvillohet në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Ky seleksionim vjen pas përfundimit të turneut të përfaqësueseve rajonale që u zhvillua pak më ditë më parë e ku morën pjesë futbollistët e grup-moshave U-13, U-14 dhe U-15 nga e gjithë Shqipëria. Trajneri i Kombëtares, Armand Damo, ka përzgjedhur rreth 40 futbollistë të datëlindjes 2009 për t’i parë nga afër në aksion më 25 janar.

Bëhet fjalë për lojtarë të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar e të cilët kanë spikatur me paraqitjet e tyre në kompeticionet kombëtare apo edhe në turneun e përfaqësueseve rajonale.

Përveç testeve dhe ushtrimeve fizike, gjatë seleksionimit do të organizohen disa miqësore mes grupit për të monitoruar më mirë lojtarët e përzgjedhur. Stafi teknik i Kombëtares U-15 do të vazhdojë me seleksionimit për të formuar një grup solid që të jetë i gatshëm edhe për turnetë UEFA Development që do të organizohen këtë vit për këto grup-mosha.

Jo vetëm kaq, por stafi kuqezi në bashkëpunim edhe me Departamentin e Ekipeve Kombëtare në FSHF po punon intensivisht edhe për të nxjerrë sa më shumë talente për të furnizuar ekipet e tjera kombëtare të moshave.