Nis rrugëtimin edicioni i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5x5, ja risitë - FSHF

Nis rrugëtimin edicioni i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5, ja risitë

Ka filluar mbrëmjen e sotme edicioni i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5, një kampionat i futbollit amator i dedikuar ekskluzivisht për ata ish – sportistë apo të apasionuar pas futbollit që vazhdojnë të ndjekin pasionin e tyre.

Kompeticioni që organizohet nga Departamenti i Futbollit Amator në FSHF, nis nga Zona e Tiranës që aktualisht ka 60 skuadra të regjistruara.

Duke folur në nisje të ndeshjes së parë, asaj ndërmjet Dok Team-Spartak, Legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, vlerësoi organizimin e këtij kompeticioni që mban gjallë pasionin te futbolldashësit dhe ka një impakt të rëndësishëm në shëndet. “Fillojmë sot edicionin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5. Federata Shqiptare e Futbollit i ka marrë të gjitha masat në drejtim të organizimit në mënyrë që ky kampionat të jetë i mbarë dhe sa më i sukesshëm”.

Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, u ndal te risitë e këtij edicioni dhe nënvizoi se regjistrimet janë ende të hapura. “Dua t’ju falenderoj për pjesëmarrjen në këtë edicion të dytë dhe njëkohësisht të uroj sa më shumë suksese për të dy skuadrat që luajnë sot, në një kampionat të mbarë dhe Fair Play. Ne këtë vit kemi një rritje të ekipeve që marrin pjesë, dyfishim të skuadrave, por në të njëjtën kohë vazhdojnë regjistrimet duke parë kërkesën e madhe për të qënë pjesë e këtij kampionati.”

Kampionati do të shtrihet në të gjithë Zonat Rajonale të FSHF dhe skuadrat e kampionatit të futbollit 5×5 kanë të garantuara fushën e lojës, uniformat dhe topat e lojës, me ndeshjet që do të gjykohen nga arbitra profesionistë dhe do të ketë mjekë.

Skuadra që shpallet kampione e Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5 do të përfitojë një shpërblim prej 300,000 lekësh, kurse vendi i dytë fiton 100.000 lekë.

Skuadra e renditur e para në kampionatin rajonal merr si shpërblim 75.000 lekë ndërkohë që vendi i dytë i kampionatit rajonal fiton 25.000 lekë dhe 5 topa.