Nga sezoni i ardhshëm auto-arbitrim për ndeshjet e moshave U-7, U-9 & U-11 - FSHF

Nga sezoni i ardhshëm auto-arbitrim për ndeshjet e moshave U-7, U-9 & U-11

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që nga sezoni 2021-2022 ndeshjet e kampionateve të moshave U-7, U-9 dhe U-11 vjeç të mos drejtohen nga arbitra.

Në kuadër të një projekti të bazuar edhe në praktikën ndërkombëtare do të nisë auto-arbitrimi, që nënkupton se ndeshjet e këtyre moshave do të arbitrohen nga vetë trajnerët e skuadrave dhe jo nga arbitra.

Vendimi për të për të bërë që vetë trajnerët të arbitrojnë ndeshjen e fëmijëve të vegjël do të sjellë përfitime të shumëfishta. Kjo synon që trajnerët të kuptojnë se nëse ata tregojnë një sjellje të ekuilibruar dhe korrekte, edhe lojtarët e rinj do të sillen si duhet me arbitrin (dhe për pasojë edhe drejtuesit dhe prindërit).

Gjithashtu, objektivi është që futbollistët të bëhen të vetëdijshëm se sa i vështirë dhe kompleks është roli i arbitrit si edhe të rritet niveli kulturor i trajnerëve në lidhje me rregulloren.

Në këtë mënyrë trajnerët do të përdorin mundësinë për të arbitruar e për të mësuar të rinjtë me sensin e rregullave si edhe të kuptojnë se arbitri në sektorët e fëmijëve ka jo vetëm një funksion penalizues por edhe edukues dhe trajnues.