Ndarja nga jeta e ish-trajnerit beratas Guxim Mukli, mesazh ngushëllimi nga Presidenti Duka - FSHF

Ndarja nga jeta e ish-trajnerit beratas Guxim Mukli, mesazh ngushëllimi nga Presidenti Duka

Ndarja nga jeta e Guxim Muklit, legjendës së futbollit të Beratit ka trishtuar sot të gjithë komunitetin futbolldashës. Mukli ka qenë një nga trajnerët më të njohur të Tomorrit, por edhe të ekipit Shpresa, duke nxjerrë një plejadë të shkëlqyer futbollistësh që kanë shkruar historinë e futbollit të këtij qyteti.

Për këtë lajm të trishtë ka reaguar edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka shprehur ngushëllimet për familjarët e tij dhe ka vlerësuar kontributin që profesor Mukli ka dhënë gjatë gjithë jetës së tij për futbollin shqiptar.

“I trishtuar për lajmin e ndarjes nga jeta të Guxim Muklit, ish-trajner i njohur i Tomorrit në vitet ‘80 dhe i ekipit Shpresa. Ai ishte një nga simbolet e trainingut beratas, duke stërvitur një brez të shkëlqyer futbollistësh si Kovaçi, Mile, Kokalari, Matrapazi etj.

I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Mukli, miqve dhe të afërmve të tyre. Profesor Mukli do të mbahet mend gjithmonë për kontributin që ka dhënë për futbollin e Beratit e të Shqipërisë, si trajner dhe si futbollist. U prehtë në paqe! I paharruar qoftë kujtimi i tij!”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij.