Ndahet nga jeta ish-futbollisti i njohur, Vladimir Ajazi. Duka: Lamtumirë mik i mirë! - FSHF

Ndahet nga jeta ish-futbollisti i njohur, Vladimir Ajazi. Duka: Lamtumirë mik i mirë!

Futbolli shqiptar dhe ai durrsak është në zi për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të mirënjohur, Vladimir Ajazi. Ai ka qenë portier i Lokomotivës së Durrësit dhe ekipit kombëtar Shpresa, ndërkohë që pas tërheqjes nga futbolli aktiv ka vazhduar të punojë me futbollin, teksa ka qenë edhe trajner i portierëve të Kombëtares për disa vite. Ajazi ka qenë pjesë e një brezi të artë të futbollit durrsak në vitet ‘70 dhe ka qenë një nga personazhet më të dashur e popullor për sportdashësit e qytetit bregdetar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili i ka shprehur ngushëllimet familjes dhe ka vlerësuar kontributin e Vladimir Ajazit për futbollin shqiptar.

“I trishtuar për lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tim dhe ish-futbollistit të njohur, Vladimir Ajazi, ish-portieri i Lokomotivës së Durrësit dhe i ekipit kombëtar Shpresa në vitet ’70.

Ladi do na mungojë të gjithëve, do i mungojë familjes së tij dhe ne, miqve të tij të panumërt që e donim dhe e vlerësonim për karakterin dhe personalitetin e tij të spikatur. Një burrë serioz e i besës, fjalëpak e korrekt dhe një mik i mirë.

U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ajazi për këtë humbje. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për Durrësin dhe për futbollin shqiptar. U prehtë në paqe!”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij.

× WhatsApp