Miqësorja e dytë e nëntorit / Shqipëria mundet nga Italia në “Air Albania” - FSHF

Miqësorja e dytë e nëntorit / Shqipëria mundet nga Italia në “Air Albania”

Shqipëria luajti sot ndaj Italisë miqësoren e dytë të nëntorit në stadiumin “Air Albania” që përfundoi me fitoren e të kaltërve me rezultatin 1-3. Trajneri Edoardo Reja e nisi ndeshjen me këtë formacion: Berisha, Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Mihaj, Lenjani, Bare, Abrashi, Bajrami, Broja, Uzuni.

Në një atmosferë të shkëlqyer dhe një stadium të mbushur me kapacitet të plotë, Kombëtarja dhuroi një paraqitje të mirë dhe pavarësisht humbjes, krijoi raste për gol dhe dhuroi emocione të mëdha për tifozët. Pas një fillimi të mirë Broja fitoi një goditje dënimi në minutën e 16-të në të djathtë të zonës me Nedim Bajramin që nis një krosim në qendër të zonës, aty ku Adrian Ismajli godet bukur me kokë, duke e dërguar në rrjetë.

Kuqezinjtë kalojnë në avantazh me një gol të merituar, por Italia reagon shpejt dhe në minutën e 20-të arrin të gjejë golin e barazimit me anë të Di Lorencos, i cili shfrytëzon më së miri një krosim nga e majta, duke befasuar Berishën. Shqiëpria duket se demoralizohet nga barazimi dhe në minutën e 25-të Italia gjen dhe golin e avantazhit me anë të Grifos, që merr një pasim të bukur nga Raspadori dhe tregohet i ftotë para portieri kuqezi, duke e dërguar topin në rrjetë. Deri në fund të pjesës së parë miqtë kanë tjetër shans të mirë për gol me Zaniolon, që godet shtyllën, ndërsa Shqipëria përpiqet të ndryshojë rrjedhën e lojës.

Pjesa e dytë ka një tjetër ritëm me kuqezinjtë që e interpretojnë më mirë ndeshjen, teksa në minutën e 48-të Kumbulla i afrohet golit, por goditja me kokë e mbrojtësit ndalet nga portieri Meret. Loja është shumë intensive me gjuajtjen e Uzunit që përplaset në traversë, ndërkohë që Grifo në krahun tjetër ndalet sërish nga shtylla.

Në minutën e 63-të Nedim Bajrami është i pafat, pasi godet traversën ndërsa në vijimin e aksionit, Bonuçi shpëton në vijën fatale një goditje të Lenjanit brenda zonës. Vetëm një minutë më vonë miqtë gjejnë golin e tretë me Grifon që realizon për të dytën herë këtë mbrojtje me një gjuajtje të saktë brenda zonës, që nuk i jep mundësi Berishës të reagojë. Rezultati fiksohet në shifrat 1-3, ndërkohë që të dyja skuadrat nisin me zëvendësimet. Roshi i futur në fushë në pjesën e dytë, ka një rast shumë të mirë në minutën e 78-të, kur pas një krosimi të bukur të Lenjanin, godet portën, por gjuajtja e tij para portës grushtohet nga portieri Meret.

Një tjetër rast i mirë për gol ishte ai i minutës së 88-të kur Skuka, i sapofutur në fushë, gjuan me roveshatë në qendër të zonës me gjuajtjen e tij që ndalet me vështirësi nga portieri italian. Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe miqësorja Shqipëri-Itali mbyllet me rezultatin 1-3. Ndërkaq, të shtunën Kombëtarja do të luajë edhe miqësoren e tretë të nëntorit, atë ndaj Armenisë po në stadiumin “Air Albania”.

Ndeshje miqësore

Shqipëri – Itali 1-3

Shënues: Ismajli 16’ / Di Lorenco 20’, Grifo 25’, 64

SHQIPËRIA: Berisha, Hysaj, Ismajli (A. Bajrami 71’), Kumbulla, Mihaj, Lenjani, Bare (Laçi 87’), Abrashi (Ramadani 77’), N. Bajrami (Asllani 71’), Broja (Roshi 50’), Uzuni (Skuka 88’).

Trajner: Edi Reja

ITALIA: Meret; Skalvini, Bonuçi, Bastoni; Di Lorenco, Tonali, Verratti, Dimarko; Zaniolo, Raspadori, Grifo.

Trajner: Roberto Mançini