Miqësoret me Turqinë, Grima: Kolaudojmë grupin & marrim maksimumin nga këto sfida - FSHF

Miqësoret me Turqinë, Grima: Kolaudojmë grupin & marrim maksimumin nga këto sfida

Trajneri i Kombëtares shqiptare të femrave, Armir Grima ka dalë ditën e sotme në një konferencë zyrtare për media, ku ka folur në lidhje me dy ndeshjet miqësore që ekipi i femrave do të zhvillojë ndaj Turqisë.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, tekniku kuqezi i femrave u shpreh se nga këto dy ndeshje pret të kolaudojë grupin e vajzave që do të përfaqësojnë Shqipërinë në kualifikueset e kampionatit Botëror Australi-Zelandë e Re 2023”. Grima theksoi se Kombëtarja do të marrë maksimumin nga këto dy ndeshje, duke u shprehur se stafi e ka analizuar skuadrën turke, si dhe foli për prurjet e reja në skuadër dhe integrimin e tyre me grupin.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë miqësore ndaj Turqisë ditën e hënë, më 12 korrik, duke nisur nga ora 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena” ndërsa tre ditë më vonë, do të luajnë ndeshjen e dytë në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, në ora 18:00.

Pritshmëritë nga këto dy ndeshje – Nga këto dy ndeshje presim që të kolaudojmë grupin e vajzave, pasi kemi ftuar edhe vajza të reja. Të shohim gjendjen e tyre dhe përshtatshmërinë e tyre me grupin duke pasur parasysh që në shtator nisim edhe eliminatoret. Dhe kjo është esenca e këtij grumbullimi le të themi, që vajzat e reja që kemi të ambientohen dhe të përshtaten sa më mirë me grupin.

Gjendja e ekipit – Nuk presim që vajzat t’i kemi në 100% e tyre, duke marrë parasysh që është edhe periudha e pushimeve të futbollit dhe lojtareve, por duke ditur që nuk kemi shumë ndeshje miqësore dhe duke ditur rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve, besoj se do të japin 100% e tyre. Do mundohemi t’i përballojmë me sukses këto dy ndeshje dhe të marrim maksimumin në këto dy ndeshje.

Prurjet e reja në skuadër – Besoj se do t’i aktivizoj të gjitha lojtaret që kemi në dispozicion. Kemi shumë lojtare të reja që na shërbejnë edhe për Kombëtaren e 19-vjeçareve, besoj se do të jetë një eksperiencë e mirë për to për të qenë sa më afër ekipit të parë dhe t’i shërbejnë të dy Kombëtareve, si 19-vjeçareve ashtu edhe Kombëtares A. Kemi edhe futbolliste të tjera që nuk janë në këtë listë që luajnë jashtë, për arsye të ndryshme. Lojtaret që janë pjesë e këtij grumbullimi si Anna, Mimoza, Alma, kanë qenë edhe më parë pjesë e grumbullimeve. Duke parë aftësitë dhe cilësitë që ka Anna, shpresoj që të bëhet një futbolliste shumë e devotshme për Kombëtaren. Gjithashtu, duke luajtur sa më shumë me vajzat që janë këtu dhe duke i bërë bashkë, do të fitojmë një grup sa më të mirë për ndeshjet që na presin përpara.

Skuadra turke? – Ne analizojmë çdo skuadër, sa herë luajmë, jo vetëm skuadrën turke. Kemi një mbështetje të madhe nga Federata e Futbollit për çdo nevojë që ne kemi. Së bashku me Alarico Rossin, video-analistin e Kombëtares A jemi në rrugën e duhur.

Edicioni i ardhshëm i kampionatit të femrave dhe krijimi i skuadrave të reja – Mendoj që edhe në sezonin e ardhshëm kampionati i femrave do të diskutohet mes Vllaznisë dhe Apolonisë, por edhe Tiranës. Formimi i çdo ekipi të femrave nga çdo ekip i Kategorisë Superiore besoj që është serioz dhe pozitiv, sepse ndryshe do të jetë edhe serioziteti i klubeve karshi futbollit të femrave. Do të ketë më seriozitet, më përkushtim dhe më shumë kërkesë llogarie, duke i shërbyer më shumë kampionatit të ardhshëm.

Kualifikueset e Botërorit – Sigurisht që dy miqësoret do të shërbejnë për të kolauduar grupin dhe besoj që këto dy ndeshje janë në kohën e duhur, pavarësisht se gjendja e vajzave nuk është e duhura, por që nuk është gjithçka gjendja fizike. Ka shumë rëndësi harmonia në grup, që besoj se na shërben më shumë, duke pasur parasysh që Shqipëria armën më të fortë ka grupin, jo individin. Në eliminatoret e ardhshme, jemi në një grup të vështirë, mund të kishim pasur më shumë fat te një grup tjetër, por duke parë edhe arritjen e kësaj Kombëtareje, besoj që rriten edhe kërkesat e renditjes në grup. Do të japim maksimumin, për më të mirën që kemi ne në futbollin e femrave.