Miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, Reja: Ndeshje të rëndësishme, masim forcat tona - FSHF

Miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, Reja: Ndeshje të rëndësishme, masim forcat tona

Trajneri i ekipit Kombëtar Edoardo Reja ka dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për mediat, ku ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar, në prag të dy ndeshjeve miqësore që Shqipëria do të zhvillojë kundër Uellsit, më 5 qershor dhe tre ditë më vonë ndaj Republikës Çeke.

Ekipi do të nisë grumbullimin prej ditës së sotme në kompleksin “Tropikal”, ku do të qëndrojë deri më 1 qershor, përpara se të niset drejt Uellsit, ku edhe do të zhvillojnë ndeshjen e parë miqësore. Nga Uellsi, kuqezinjtë do të nisen drejt Pragës, për të luajtur edhe ndeshjen tjetër të planifikuar ndaj Republikës Çeke.

Trajneri kuqezi ka ftuar 25 lojtarë për këto dy ndeshje. Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, Reja foli për lojtarët e grumbulluar për këto dy ndeshje, ku shpjegoi listën, duke theksuar se disa lojtarë që kanë qenë pjesë e grumbullimeve të kaluara, mungojnë për shkak të dëmtimeve. Ai theksoi se lista nuk është përfundimtare, dhe mund të ndryshojë në ditët në vijim si dhe u shpreh se ndeshjet ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke janë shumë të rëndësishme, që do t’i shërbejnë për si teste vlerësuese për ndeshjet e shtatorit. Ai foli edhe për çështjen e Nedim Bajramit dhe Florian Kamberit si dhe u ndal te kundërshtarët e Botërorit. Tekniku Reja u pyet nga gazetarët edhe për Kategorinë Superiore, ku dha edhe një mendim personal për këtë sezon futbollistik të këtij kampionati.

Lojtarët e grumbulluar për këto dy miqësore– Është kënaqësi që jam sërish para jush. Kemi disa probleme sa i përket pjesës së portierëve, si Berisha ashtu edhe Strakosha kanë pasur probleme fizike. Berisha ka një problem në dorë, ndërkohë që Strakosha është duke u rikuperuar. Sigurisht do flasim edhe me stafin mjekësor kur ekipi të grumbullohet, në mënyrë që të bëjmë një vlerësim sa i përket problemeve fizike dhe të shohim gjendjen e tyre. Për listën mund të them se do të jetë përfundimtare pasi të kënë mbaruar edhe ndeshjet e kampionatit shqiptar sot, do të kem mundësi të bëj ndonjë vlerësim, në qoftë se do të më duhet të bëj ndonjë zëvendësim, qoftë për pjesën e portës. Sa i përket Kamberit, kemi folur edhe me menaxherin e tij, kemi folur edhe me lojtarin dhe nuk kemi marrë përgjigje entuziaste. Siç duket nuk ka shfaqur dëshirë të madhe, por thotë se ka edhe probleme fizike. Sigurisht, ne do të marrim ato lojtarë që ndihen gati dhe janë aty për të kontribuar për ekipin. Gjithsesi do ta ndjekim edhe çështjen e Kamberit në vazhdimësi, nuk është e thënë që ka mbaruar këtu. Do ta shikojmë prapë, nëse do të kemi mundësi ta marrim sërish.
Siç e thashë, lista nuk është përfundimtare, presim edhe sot. Kam dëgjuar shpesh që flitet për eksperimente, duke qenë se janë dy miqësore, por faktikisht ne, në edicionin e kaluar të Nations League kemi bërë shumë eksperimente siç e mbani mend, kemi marrë shumë lojtarë të rinj, kemi provuar. Sigurisht lista është e madhe, por sa vjen e bëhet më e shkurtër, herë pas here bëj seleksionimet e duhura. Por shumë lojtarë të rinj ende nuk janë gati dhe prandaj ne po i shohim në vazhdimësi. Ka shumë lojtarë të rinj që luajnë me klube në Europë, të cilët ne po i ndjekim dhe po i vlerësojmë nëse ne do të mund të marrim disa prej tyre në shtator. Sa i përket ndeshjeve të shtatorit, unë do të bazohem tek ata lojtarë që janë në formë dhe ata që më japin besim. Për t’u kthyer pak te lista, Mihaj ka probleme fizike, Dermaku po ashtu, po rikuperohet dhe nuk mund të ishte gati. Edhe Hysaj ka probleme fizike, ndërkohë që ka edhe çështjen e rinovimit të kontratës dhe nuk është në një moment shumë të mirë. Por do ta vlerësoj me stafin mjekësor nëse do më jepet ok për të qenë i gatshëm për ndeshjet. Themi shpesh që kemi ndeshje miqësore, që shërbejnë si eksperimente, por ndeshjet miqësore nuk ekzistojnë. Për mendimin tim janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, nga më të fortat në Europë, dy ekipe që marrin pjesë në Europian dhe që luajnë me module të ndryshme. Janë kundërshtarë të fortë, pak a shumë si ato që ne do të përballemi në shtator. Pas këtyre dy miqësoreve ne do të kemi mundësi të bëjmë edhe një vlerësim se ku kemi arritur dhe ku do të shkojmë.

Çështja “Nedim Bajrami”– Sa i përket Bajramit, unë shpresoj që çështja e tij të zgjidhet për pak ditë. Kemi folur me të vazhdimisht, ai ka dëshirë shumë të madhe për të luajtur me Kombëtaren shqiptare, që është thelbësore për këtë çështje, pra dëshira e lojtarit. Me aq sa kam parë, ai është një nga lojtarët më të mirë në Serie A, për rolin e tij dhe sigurisht që një lojtar me këto karakteristika na nevojitet shumë për skuadrën tonë, për mesfushën e lart. Është shumë Teknik, lojtar që zotëron aftësi të mira dribluese, që mund të driblojë lehtësisht kundërshtarët. Ka të dhëna shumë të mira sa i përket asisteve dhe pë rmua do të ishte një lojtar ideal për të kompletuar ekipin tonë. Shpresoj të zgjidhet sa më shpejt, dëshira e të gjithëve është që ai të luajë me Kombëtaren shqiptare dhe unë besoj se do kemi një fund pozitiv.

Rëndësia e ndeshjeve? – Kur të vijnë të gjithë lojtarët, do ulem dhe do flas me to. Siç e thashë, për mua nuk janë thjesht dy ndeshje miqësore, por janë ndeshje të rëndësishme për atë që ne presim. I kam lënë disa ditë pushim, sepse ka qenë sezon shumë i gjatë dhe i ngjeshur dhe u kam thënë që pas një jave pushimesh të vijnë këtu dhe besoj se deri të shtunën do të jenë të gjithë këtu, ku do të flas me secilin për rëndësinë e këtyre ndeshjeve. Janë ndeshje të vërteta, besoj se motivimi është aty. Këto dy ndeshje na duhen për të koaluduar vlerat tona dhe besoj se lojtarët do të jenë të motivuar për këto dy takime.

Kush e fiton Kategorinë Superiore? – Sa i përket këtij kampionati, ka qenë një kampionat shumë i ekuilibruar, nuk ka nevojë ta them, sepse siç e dini jemi në javën e fundit dhe akoma nuk dihet si mund të shkojë. Është një moment shumë interesant, me tre skuadra në lojë. Unë për vete do të jem në Durrës, por kjo nuk do të thotë se do të mbaj anë, thjesht e kam më kollaj të jem këtu për të ndjekur ndeshjen e Teutës. Salihi ndërkohë do të jetë në Shkodër. Unë uroj të fitojë më i miri, por asgjë nuk është e sigurtë, dhe mundësi kanë të gjithë, edhe Partizani. Gjithsesi, është një pikëpyetje e madhe kjo histori, derisa të mbarojnë 90 minutat. Dhe meqë jemi te kjo temë, ju jap rastin e Napolit, që luante për të marrë një biletë për Champions League, ku dukej në letër një ndeshje e lehtë, por nuk rezultoi e tillë. Sa i përket pyetjes për çështjen e pankinës, nuk kam pasur asnjë kontakt, por kam raporte shumë të mira dhe kam komunikim të vazhdueshëm.

Kundërshtarët e Botërorit – Këto ndeshje janë ndeshje ideale për të parë se ku jemi. Për këtë arsye do të flas dhe me lojtarët dhe do të përpiqem që t’i motivoj dhe t’i bind, sidomos ata që do të zbresin në fushë në ndeshjen e parë dhe pastaj në ndeshjen e dytë. Më e rëndësishme për mua është që ata të jenë të përgatitur mendërisht kur të zbresin në fushë. Unë mendoj që këta kundërshtarë janë shumë të ngjashëm me Polononë, që është një nga ekipet më të forta në Europë, por edhe me Hungarinë e cila ka punuar mjaft mirë dhe ka një formë në rritje, sidomos vitin e fundit. Duhet të jemi të përgatitur të japim maksimumin në këto ndeshje për t´u rikthyer sa më në formë në shtator.

Lojtarët e rinj në Kombëtare – Ne kemi një strukturë të ngritur tashmë dhe një grup lojtarësh me shumë cilësi. Unë mendoj që po bëhet një punë shumë e mirë, të githë lojtarët, jo thjesht Kamberi. Të gjithë ata që vendosin të vijnë me Kombëtaren Shqiptare duhet të jenë të gatshëm dhe të marrin parasysh të gjitha pasojat. Në radhë të parë duhet të ndihen pjesë e Kombëtares. Nëse unë vij me Kombëtaren, luaj ose jo, unë jam pjesë e saj. Motivimi duhet të jetë shumë i lartë. Siç e thashë një lojtar që grumbullohet nga ekipi i Kombëtares është në kulmin e tij. Kam folur me prindërit e disa futbollistëve shqiptarë që luajnë në Itali të datëlindjes 2004-2005 dhe kam parë një entuziazëm shumë të madh. Janë lojtarë që mund të kenë luajtur me ekipe të tjera kombëtare me moshat e reja, por në momentin që i kemi kontaktuar dhe kemi folur me prindërit e tyre ka shumë entuziazëm. Unë them që kjo është ajo që na duhet, pra lojtarë që janë entuziastë në momentin që thirren nga Kombëtarja. Që të vijnë këtu ata duhet të ndihen pjesë e familjes sonë. Kjo është ajo që na duhet.

Rroca, Gjasula dhe Kamberi – Për sa i përket Rrocës, sigurisht është një lojtar interesant dhe unë e kam ndjekur dhe e ndjek në vazhdimësi. Ndërsa për sa i përket Gjasulës, sigurisht ai ka patur probleme fizike. Unë kam folur me të, ka bërë dhe pak ndeshje në këtë sezon por ka dhe probleme me klubin. Po bëhen ndryshime për sa i përket stafit teknik në klub, plus faktit që skuadra do të nisë grumbullimin shumë shpejt kështu që pas një bisede ai më kërkoi leje për të mos qenë i pranishëm në këto dy ndeshje dhe ne e mirëkuptuam. Duhet të jemi në suport të lojtarëve në të tilla momente. Në këtë pozicion unë kam Abrashin dhe Ramadanin. Sigurisht më vjen keq për Gjasulën sepse do na duhej një lojtar me karakteristikat e tij, por jemi të mbuluar, kemi në grup të madh, kemi lojtarë në të githa pozicionet prandaj besoj se nuk do të ndjejmë mungesa dhe do të kemi në fushë një ekip kompetitiv për të përballuar Çekinë dhe Uellsin.
Për sa i përket Kamberit, ne e kemi provuar gjatë javës, e kam provuar në formacionin e titullarëve, e kam provuar edhe në formacionin e rezervave. Ndoshta ai ishte i bindur që do të luante, por ne bëjmë prova dhe e rishikojmë ekipin vazhdimisht. Ndërkohë në stërvitjen e fundit ai u ankua për probleme fizike. Të paktën kjo është ajo që lojtari më tha, më pas se cfarë ka në mendjen e tij, është pak e vështirë ta them unë, atë e di vetëm ai. Por di të them që nuk pati qasje pozitive në këtë moment. Sigurisht ne e donim në skuadër, por ndoshta nuk është mirë fizikisht ose ka probleme në kokën e tij në këtë moment. E kam parë sezonin e kaluar dhe në Skoci ka bërë ndeshje shumë të mira, me karakteristika të mira teknike, por në ndeshjet e fundit e kam ndjekur dhe nuk është më si më parë, ka ndryshuar dicka, ndosht nuk ka gjetur ende ekuilibrin e duhur por sigurisht ne jemi gati të ulemi e të diskutojmë me të për të ardhmen dhe pse jo të rishikojmë edhe ne pozicionin tonë dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët.

Dy miqësoret – Janë ndeshje shumë të rëndësishme, e thashë edhe pak më parë që na duhet motivimi i duhur nga të gjithë lojtarët. Për mua janë dy prova shumë të rëndësishme. Në aspektin psikologjik për lojtarët na duhet mentaliteti i duhur për të luajtur këto dy ndeshje. Nuk janë ndeshje miqësore, e theksoj, nuk ekzistojnë ndeshje miqësore për një Kombëtare. Lojtarët që vijnë duhet të jenë në formë qoftë fizikisht, por edhe të kenë stimujt e duhur në maksimum. Luajmë ndaj dy skuadrave me peshë, kështu që shpresoj se do na vlejnë shumë për ndeshjet e shtatorit.