Miqësoret kundër Italisë U-16/ Kuqezinjtë e vegjël: Të lumtur që jemi pjesë e këtij grupi, duam rezultate pozitive - FSHF

Miqësoret kundër Italisë U-16/ Kuqezinjtë e vegjël: Të lumtur që jemi pjesë e këtij grupi, duam rezultate pozitive

Ekipi kombëtar U-16 ka nisur që prej të shtunës grumbullimin e përgatitjet për dy ndeshjet miqësore kundër Italisë që do të zhvillohen në shtetin fqinj të martën (nesër, ora 14:30) dhe të enjten (ora 10:30). Nën urdhrat e trajnerit Agron Kërçova janë vënë të gjithë futbollistët e grumbulluar për këto dy miqësore luksi ndaj një rivali prestigjoz si Italia. Tekniku shqiptar ka një grup të ri lojtarësh që përbëjnë edhe ekipin kombëtar U-16 për këtë sezon.

Në një prononcim për fshf.org, Mattia Koçi e Serxho Vogli, dy kuqezinjtë e vegjël të cilët janë grumbulluar për herë të parë në radhët e Kombëtares U-16 nuk e fshehin kënaqësinë që janë pjesë e këtij grupi e që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këto dy miqësore të rëndësishme.

“Unë jam Mattia Koçi, luaj si mbrojtës në ekipin e Novara-s në Itali. Kam qenë edhe më parë pjesë e ekipit kombëtar U-15, por kjo është hera ime e parë tek Kombëtarja U-16. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe do të jap maksimumin që të marrim rezultate pozitive kundër Italisë. Ëndrrat për të ardhmen?Dua të luaj tek Interi dhe është shumë e rëndësishme për mua të luaj edhe te Kombëtarja shqiptare” – thotë Mattia Koçi për fshf.org.

Të njëjtën kënaqësi shfaq edhe Serxho Vogli, i cili shprehet shumë i lumtur që është pjesë e këtij grupi e që ka marrë një ftesë nga trajneri Kërçova.

“Quhem Serxho Vogli, luaj tek Akademia e Futbollit në pozicionin e mesfushorit të qendrës. Kjo është hera ime e parë që luaj me ekipin kombëtar U-16, por kam luajtur edhe më parë në ekipin kombëtar U-15. Jam shumë i lumtur që do të luajmë kundër Italisë dhe shpresojmë që të marrim te të dyja takimet rezultate pozitive. Synimi im kur të rritem?Të luaj te një ekip profesionist dhe te Kombëtarja A” – nënvizon Serxho Vogli për fshf.org.

Kombëtarja U-16 do të udhëtojë ditën e sotme drejt Italisë ku grupit pritet t’i bashkohen edhe 5 futbollistë të tjerë, të cilët aktivizohen në kampionatin italian.