“Më të mirët e 2022”, FSHF organizon mbrëmjen gala për të kurorëzuar protagonistët e futbollit shqiptar - FSHF

“Më të mirët e 2022”, FSHF organizon mbrëmjen gala për të kurorëzuar protagonistët e futbollit shqiptar

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë më datë 27 janar mbrëmjen gala, që i dedikohet protagonistëve kryesorë të futbollit të cilët kanë spikatur me paraqitjet e tyre në fushën e lojës gjatë vitit 2022.

Në këtë mbrëmje do të ndajmë çmime të rëndësishme për futbollin e djemve dhe atë të vajzave, si dhe do të vlerësojmë këdo që ka dhuruar emocione të mëdha në vitin që lamë pas.

Fituesit e çmimeve janë përzgjedhur nga vetë protagonistët e futbollit shqiptar pas një procesi të gjatë e transparent të udhëhequr nga FSHF. Një çmim i veçantë do të jepet për ekipin e Vllaznisë së vajzave, që arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League dhe duke luajtur me klubet më të mëdha të Europës.

Në këtë mbrëmje festive ku nuk do të mungojë edhe programi artistik, do të jetë i ftuar special Kryeministri Edi Rama, personalitete ndërkombëtare, figura të mëdha futbolli, përfaqësues nga bota akademike, ajo politike, e artit dhe kolegë e miq të Federatave të tjera.

Gjithashtu, do të ripërshkruhen momentet magjike dhe arritjet e jashtëzakonshme që arriti futbolli shqiptar në vitin 2022, që nga finalja e parë europiane dhe historike e UEFA Conference League e mbajtur në Tiranë e deri te projektet më të rëndësishme të FSHF-së siç ishte “Uniforma Ime”.

Sakaq, FSHF bën me dije se mbrëmja gala “Më të Mirët e 2022” në fakt do të kthehet do të jetë një traditë e përvitshme e Federatës, si një moment vlerësimi e nderimi për ata që kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushë përgjatë 365 ditëve të një viti.

Më poshtë, edhe lista e çmimeve që do të jepen në mbrëmjen gala më të mirët e 2022:

Topi i Artë 2022

Topi i Artë 2022 (për vajza)

Këpuca e Artë 2022

Këpuca e Artë (për vajza 2022)

Trajneri i Vitit 2022:

Talenti i Vitit

Talentja e Vitit

Arbitri i vitit, finalistët

Çmimi i FSHF: Vllaznia e vajzave, për arritjen e madhe të kualifikimit në 16 ekipet më të mira të UEFA Women’s Champions League.

Formacioni e vitit