Mbyllen seleksionimet edhe në zonën e Tiranës dhe Durrësit, fluks i madh lojtarësh - FSHF

Mbyllen seleksionimet edhe në zonën e Tiranës dhe Durrësit, fluks i madh lojtarësh

Drejtoria Teknike në FSHF ka nisur që prej javës së kaluar seleksionimet për Përfaqësueset Rajonale të datëlindjeve 2008, 2009, 2010 në zonën e Elbasanit dhe Korçës me qëllim evidentimin e elementeve cilësore në këto grupmosha, të cilët do të vazhdojnë më tej përgatitjet për Turneun e Përfaqësueseve Rajonale që organizohet nga Federata e Futbollit.

Këtë javë drejtues të kësaj drejtorie kanë zhvilluar seleksionimet edhe në Zyrën Rajonale të Tiranës dhe Durrësit, ku të pranishëm ishin trajnerë të ekipeve të moshave Kombëtare, trajnerë të ekipeve Përfaqësuese Rajonale të Tiranës si dhe specialistë të kësaj drejtorie.

Në seleksionimin që u zhvillua në Tiranë, u paraqitën një numër shumë i madh lojtarësh, rreth 646 të tillë, ku 138 ishin lojtarë të datëlindjes 2008, 264 të datëlindjes 2009 dhe 244 lojtarë të datëlindjes 2010.

Ndërkaq një numër i lartë futbollistësh u paraqitën edhe në seleksionimin që u zhvillua nga Zyra Rajonale e Durrësit, rreth 200 lojtarë të këtyre tre grupmoshave, ku 80 futbollistë ishin të datëlindjes 2008, 66 të datëlindjes 2009 dhe 54 të datëlindjes 2010.

Seleksionimet janë mbyllur javën e kaluar në Elbasan dhe Korçë, ndërsa do të vijojnë në ditët në vijim edhe në katër zonat e tjera.