Manaj i papërmbajtshëm në miqësoren me Barcelonën, shënon tregolësh! - FSHF

Manaj i papërmbajtshëm në miqësoren me Barcelonën, shënon tregolësh!

Rey Manaj ka qenë më i miri në fushë për Barcelonën në miqësoren e zhvilluar ndaj Gimnastik Tarragona, e para e sezonit për gjigantët katalanas.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, i cili u grumbullua nga trajneri Ronald Koeman për këtë test, u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes, duke u shndërruar në protagonist absolut.

Në minutën e 60-të Manaj realizoi një gol të shkëlqyer me një gjuajtje diagonale, duke mahnitur të gjithë dhe duke zhbllokuar rezultatin. Në minutën e 86-të shqiptari u gjend në vendin e duhur dhe pas një krosimi nga e majta e dërgon topin në rrjetë duke e goditur me gjoks. Rezultati shkon 3-0, ndërkohë që në minutat e fundit Barcelona fiton një penallti që transformohet në gol po nga shqiptari, për të vulosur shifrat në 4-0.

Ndeshja u luajt në stadiumin “Johan Cruyff” të Barcelonës, ndërkohë që të grumbulluar ishin pjesa më e madhe e lojtarëve të ekipit të parë. Një start i mirë për Rey Manajn teksa përgatitjet për sezonin e ri sapo kanë nisur.