Liga e Kombeve/ Perla e Uzunit nuk mjafton! Shqipëria mposhtet nga Izraeli - FSHF

Liga e Kombeve/ Perla e Uzunit nuk mjafton! Shqipëria mposhtet nga Izraeli

Kombëtarja shqiptare e futbollit është mundur mbrëmjen e sotme në transfertën izraelite me rezultatin final 2-1. Ndeshja e vlefshme për Ligën e Kombeve ishte “treni i fundit” për kuqezinjtë, për të synuar një vend të parë në grup, por nuk ia dolën të marrin një rezultat pozitiv.

Shqipëria e drejtuar nga trajneri Edy Reja e nisi këtë takim ndaj Izraelit me këtë formacion: Strakosha; Balliu, Ismjali, Ajeti, Hysaj; Gjasula, Laçi, Abrashi; Asllani; Broja, Cikalleshi.

Nisi mirë loja për ekipin kuqezi, që pati mundësinë e avantazhit që në minutën e gjashtë me Armando Brojën. Sulmuesi i Chelsea-t i rrëmben bukur topin mbrojtësve kundërshtarë dhe del i vetëm para portierit, por dërgon topin në duart e këtij të fundit, duke mos finalizuar siç duhet.

Dhjetë minuta më vonë, kuqezinjtë kanë sërish shansin të kalojnë në epërsi, me Cikalleshin që tenton me të majtën e tij potente, por topi përfundon mbi traversë.

Edhe izraelitët bëjnë mirë, duke na u afruar disa herë pranë portës, por ekipi funksionon mirë në këtë pjesë të parë dhe porta mbetet e paprekur.

Pak minuta para mbylljes së 45 minutëshit të parë, Shqipëria tenton sërish me Brojën, por sulmuesi pengohet sërish nga gardiani rival.

Pak sekonda pas nisjes së fraksionit të dytë, Izraeli na ndëshkon me Vaisman! Një gol që duket se goditi rëndë kuqezinjtë që për pak minuta nuk marrin forcën të reagojnë si duhet.

Tekniku Reja hodhi në fushë që në minutën e 46-të Veselin në vend të Balliut. Mbrojtësi krijon një aksion shumë të bukur në harkun e djathtë, me një top të dërguar në zonë që gjehet nga Cikalleshi. Sulmuesi godet me kokë, por topi shkon mbi rrjetë! I pafat!

Në minutën e 61-të, Kristjan Asllani vendos të godasë drejt e në portë një goditje dënimi, por portieri kundërshtardevijon topin.

Trajneri vendos të bëjë të tjera ndryshime, me Abrashin, i cili del i dëmtuar dhe Asllanin, e duke i lënë vendin në fushë Ramadanit dhe Bajramit.

Kuqezinjtë patën sërish një rast mjaft të mirë për të barazuar shifrat, kur pas një aksioni nga e djathta sërish, Veseli jep një top për Ramadanin i cili tenton portën, por gjen devijimin mbi traversë të portierit.

Dy zëvendësimet e fundit të Rejës janë Cikalleshi dhe Ajeti, të cilët i lënë vendin Uzunit dhe Mihajt.

E me hyrjen e sulmuesit të Granada-s erdhi edhe goli kuqezi. Një perlë e Uzunit, i cili gjeti rrugën e rrjetës pas një goditjeje perfekte nga hyrja e zonës kundërshtare duke heshtur të gjithë stadiumin izraelit në minutën e 88-të.

Arbitri akordon gjashtë minuta shtesë, ku në të dytën vendasit gjejnë sërish golin e epërsisë dhe tre pikëshit, pas një gabimi në mbrojtjen tonë.

Izraelitët vulosin shifrat në 2-1, teksa rezultati nuk ndryshon më në minutat e mbetura, me Shqipërinë që nuk e arrin objektivin e kësaj sfide që ishin tre pikët.

Pas tre ditësh, kuqezinjtë do të luajnë edhe sfidën e fundit në Ligën e Kombeve ndaj Islandës në stadiumin “Air Albania”.