Liga e Kombeve/ Laçi e Broja: Në Izrael vetëm për tre pikët! Jemi përgatitur 100%, nga portieri te sulmuesi! - FSHF

Liga e Kombeve/ Laçi e Broja: Në Izrael vetëm për tre pikët! Jemi përgatitur 100%, nga portieri te sulmuesi!

Teksa kanë mbetur vetëm dy ditë nga përballja e parë e muajit shtator ndaj Izraelit, Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet intensive në kompleksin ‘Tropikal’ në Durrës.

Ndërkaq, në ditën e katërt të grumbullimit, në konferencën e zakonshme për mediat kanë dalë dy futbollistët e Kombëtares, Armando Broja dhe Qazim Laçi, të cilët kanë folur për dy sfidat e fundit, fillimisht ndaj Izraelit në transfertë më 24 shtator e tre ditë më vonë ndaj Islandës në ‘Air Albania’ më 27 shtator.

Fillimisht, ishte Qazim Laçi ai i cili iu përgjigj interesit të gazetarëve, teksa mesfushori kuqezi u fokusua te rëndësia e ndeshjes së parë ndaj Izraelit dhe theksoi se Shqipëria do të kërkojë vetëm fitoren në transfertë. Ai tha se ndihet gati për ta nisur ndeshjen si titullar.

Çfarë mund t’i jap më shumë ekipit? – Mund t’i jap shumë fuqi ekipit për të rikuperuar shumë topa dhe ekipi të jetë më shumë agresiv. Ky lloj futbolli i pëlqen edhe më shumë trajnerit dhe po punojmë në stërvitje për të ushtruar sa më shumë pressing, për të fituar sa më shumë topa në zonën e Izraelit.

A jam gati për të qenë titullar? – Besoj se po. Ekipi, por edhe unë kemi treguar në të gjitha ndeshjet që kemi bërë, që jemi gati. Në mesfushë ka shumë lojtarë, por të gjithë po përgatitemi shumë mirë. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne dhe duhet të ikim e ta fitojmë.

Sa do të ndikojë presioni te përfaqësuesja jonë përballë Izraelit? – Do kemi pak presion, pasi duam të fitojmë ndeshjen, por nuk besoj se ekipi ka presion për momentin. Po punojmë shumë mirë dhe jemi të gjithë gati për të shkuar në Izrael e për të fituar këtë ndeshje të rëndësishme. Të marrim tre pikët pasi qëllimi ynë është vendi i parë në grup. Të gjithë lojtarët janë përgatitur 100%, nga portieri te sulmuesi nga stafi kuqezi. Të mundohemi të japim maksimumin dhe ta tregojmë në fushë që kemi vlerat dhe dëshirën për të marrë tre pikët që do të na japin shansin të vijmë në Shqipëri e të luajmë kundër Islandës e të fitojmë vendin e parë.

Ajaccio – Jam shumë i kënaqur pasi ka disa vite që ekipi po punonte shumë mirë dhe po luftonte për t’u futur në kategori të parë. ishte kënaqësi për mua që jemi pjesë e Ligue 1, pasi kam 6 vite me këtë ekip dhe ia arrita qëllimit tim. Do më ndihmojë shumë mua, por edhe tek ekipi kombëtar, pasi të gjithë lojtarët luajmë në liga të mëdha të Europës dhe kjo ngre nivelin e ekipit. Ne e kemi për detyrim që të eci kombëtarja sa më sipër.

Këshillat e trajnerit Reja për mesfushën – Kemi disa lojtarë që mungojnë dhe që e kanë ndihmuar shumë ekipin kombëtar. Dhe trajneri ka bërë disa skema ndryshe në stërvitje. Me këta lojtarë që kemi në dispozicion do të mundohemi të bëjmë më të mirën. Unë besoj që edhe këta lojtarë që janë tani do të japin maksimumin 100% për të fituar këtë ndeshje, që do të jetë shumë e fortë, si fizike, por edhe nga ana e stresit, pasi kemi humbur ndeshjen e parë. besoj do jemi gati.

Edhe Armando Broja theksoi në fjalën e tij se ekipi do të udhëtojë drejt Izraelit vetëm me një qëllim, për të marrë tre pikët. Sulmuesi i Chelsea-t tregoi se ndihet në formë shumë të mirë, ndërsa theksoi se nuk ndjen presion.

Sfidat e radhës dhe përgatitjet me Kombëtaren– Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme. Duhet fitore dhe tre pikë për secilën nga ndeshjet dhe trajneri është ai që bën formacionin. Në stërvitje kemi pëgatitur disa skema për të fituar ndeshjen. Vetëm fitoren kemi në mendje dhe uroj që të marrim tre pikët.

Do të jeni në formacion në ndeshjen ndaj Izraelit? – E bën trajneri formacionin, por nëse më përzgjedh, do të bëj maksimumin dhe uroj të marrim tre pikët.

Çfarë duhet për të mposhtur Izraelin? – E dimë që do të jetë ndeshje e vështirë sepse na kanë mundur në ndeshjen e parë. Por kësaj radhe na duhet fitore dhe uroj të luajmë mirë si ekip dhe të marrim fitoren.

A ndjej presion sepse kanë pritshmëri për mua? – Nuk kam shumë presion se luaj futboll, pasi kam nisur futbollin që në moshën tre vjeçare. Luaj futboll për qejf dhe për të fituar ndeshjen dhe për të ndihmuar ekipin, por nuk kam presion.

Forma aktuale e Brojës – Gjithmonë jam në formë. Kam bërë stërvitje çdo ditë dhe e dimë që është më e vështirë të luaj te Chelsea sesa të luaja te Southampton. Por jam stërvitur çdo ditë me lojtarë shumë të mirë dhe këtu në Shqipëri dhe jam fizikisht mirë.