Legjionarët/ Dy gola dhe një asist, ja si u paraqitën kuqezinjtë këtë fundjavë - FSHF

Legjionarët/ Dy gola dhe një asist, ja si u paraqitën kuqezinjtë këtë fundjavë

Pas ndeshjeve me Kombëtaren, në kuadër të Ligës së Kombeve, futbollistët kuqezi janë rikthyer të luajnë me ekipet e tyre në kampionatet përkatëse.

Minuta të plota, asist dhe gola. Kështu mund të përmblidhet kjo fundjavë për djemtë e Kombëtares, të cilët në përgjithësi kanë bërë paraqitje tepër të mira.

Nuk është hera e parë që Nedim Bajrami gjen rrugën e rrjetës kundër Milanit, teksa e bëri sërish këtë fundjavë. Edhe pse nuk e nisi si titullar, mesfushori kuqezi zhvilloi një ndeshje perfekte, teksa përveç disa rasteve të rrezikshme që krijoi, arriti të realizojë edhe një gol spektakolar nga goditja e dënimit në minutat shtesë të lojës.

Rrugën e rrjetës e gjeti edhe Giacomo Vrioni në kampionatin amerikan. Sulmuesi kuqezi u rikthye të luajë në radhët e New England Revolution pas lëndimit. 23-vjeçari arriti të gjejë golin e parë në radhët e ekipit të tij të ri në minutën e 32-të, pasi realizoi në mënyrë të saktë një penallti.

Paraqitje të mirë bëri edhe mbrojtësi shqiptar që luan në radhët e Lazio-s, Elseid Hysaj. Edhe pse e nisi sfidën kundër Spezia-s nga stoli, futbollisti kuqezi dhuroi asistin për golin e katërt të realizuar nga Milinkoviç-Saviç.

Në sfidën kundër Romës këtë fundjavë, pjesë e formacionit titullar ishte edhe Kristjan Asllani, mesfushori kuqezi, i cili për herë të parë u fut në fushë nga minuta e parë për Interin. Djaloshi shqiptar luajti për 77 minuta, teksa sipas vlerësimit të SofaScore, është një nga lojtarët me notën më të lartë, 6.7.

Minuta ka pasur edhe për futbollistët e tjerë të Kombëtares, të cilët gjithashtu kanë pasur paraqitje të mira këtë fundjavë me ekipet e tyre. Sokol Cikalleshi, Ylber Ramadani, Ermir Lenjani e Enea Mihaj kanë luajtur për 90 minuta në radhët e skuadrave përkatëse.

Ndëkaq, minuta më pak ka pasur për Albi Dokën, Taulant Seferin, Amir Abrashin, Myrto Uzunin e Keidi Baren, me këtë të fundit që rikthehet të luajë me Espanyol-in pas lëndimit që pësoi disa javë më parë. Pavarësisht minutave, paraqitja e tyre është vlerësuar mjaft mirë nga uebsajti i specializuar për statistika, SofaScore.