Kursi i përgatitjes atletike / Konfirmohet pjesëmarrja e Massimo Nerit, një ndër trajnerët më të mirë në botë - FSHF

Kursi i përgatitjes atletike / Konfirmohet pjesëmarrja e Massimo Nerit, një ndër trajnerët më të mirë në botë

Kursi i trajnerit të përgatitësit atletik i organizuar nga FSHF rikthehet për herë të dytë me formatin e ri. Pas suksesit të edicionit të parë, më 27 prill, rifillon kursi i përgatitjes së një figure gjithmonë e më të rëndësishme në botën e futbollit ndërkombëtar, dhe sigurisht FSHF po investon shumë në këtë drejtim. Gjatë muajve të fundit është bërë një përzgjedhje e emrave më në zë të fushës, të cilët do të japin kontributin e tyre edhe në Shqipëri.

Emra të tjerë të rëndësishëm i shtohen listës së lektorëve. Bëhet fjalë për Massimo Neri-n, përgatitës atletik profesionist, një ndër emrat më të rëndësishëm të futbollit ndërkombëtar me një eksperiencë të madhe mbi shpatulla, pasi ka punuar në klube dhe kombëtare të njohura anembanë botës.

 

I diplomuar në Institutin Superior të Edukimit Fizik në qytetin e Urbinos, Neri merr titullin e trajnerit të përgatitjes atletike profesionist nga sektori teknik i Koverçanos, Itali.

Në karrierën e tij të gjatë numëron eksperienca si përgatitës atletik në skuadra tejet të suksesshme si Bolonja, Roma, Juventus, Real Madrid, kombëtarja e Anglisë, Rusisë dhe Kinës. Neri do të ketë mundësi që nëpërmjet platformave online të jetë pjesë e këtij kursi dhe të ndajë me pjesëmarrësit njohuritë e tij në fushën e përgatitjes atletike, ku ai është ndër më të mirët në botë.

Bashkë me figura të tjera të rëndësishme në arenën ndërkombëtare si Roberto Sassi, ish-trajner i përgatitjes atletike te Juventus-it; Davide Pisoni; Francesco Perondi; Armando Fucci; Ferretto Ferretto, Andrea Azzalin, Italo Sannicandro dhe Darcy Norman vijnë për të ofruar njohuritë dhe eksperiencën e tyre për pjesëmarrësit në kursin e organizuar nga FSHF.

Ashtu si herën e kaluar, kursi do të drejtohet nga stafi i përgatitjes atletike në Sektorin e Edukimit të FSHF, Luigi Febbrari, Luca Laurenti, Iris Selimi, etj.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëjnë karrierë në profesionin e përgatitësit atletik. Regjistrimet janë ende të hapura edhe pse numri është i kufizuar.

Të gjithë të interesuarit për këtë kurs janë të lutur të kontaktojnë në adresat e mëposhtme për regjistrime:

E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033