Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë sërish kursin e përgatitësit atletik, që do të drejtohet nga stafi i kombëtares shqiptare. Kursi do të nisë më 27 prill 2021 dhe do të zgjasë për një muaj, teksa do të zhvillohet në ambientet e FSHF-së në Tiranë. Leksionet do të alternohen si në prezencë fizike në salle ashtu edhe me praninë online, qoftë për studentët apo edhe për lektorët.
Edhe këtë herë drejtues të kursi janë përgatitësit atletikë të kombëtares, Luigi Febbrari e Luca Laurenti në bashkëpunim edhe me specialistët e sektorit të edukimit në Federatën e Futbollit.
Pas suksesit që pati dhjetorin e kaluar dhe interesimit të madh nga pjesëmarrësit, FSHF mendoi të organizonte sërish një kurs brenda pak muajve. Bëhet fjalë për një mundësi të shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe me lektorë me emër.
Në ditët në vazhdim do të bëhen të ditur edhe emrat e lektorëve që do të mund të ofrojnë dijet dhe eksperiencën e tyre përmes platformave online, ndërkohë që janë personalitete të njohur në skenën e futbollit ndërkombëtar.
Sipas rregullores së re të miratuar nga FSHF, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në staf, por edhe në stolin e saj teknik.
Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, format e komunikimit janë si më poshtë:
E-mail: [email protected]
Nr. tel: +355 68 404 0033

















