Kursi i përgatitësit atletik, Iris Selimi: Figurë me rëndësi për klubet, kursi sjell risi - FSHF

Kursi i përgatitësit atletik, Iris Selimi: Figurë me rëndësi për klubet, kursi sjell risi

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë për herë të dytë në pak kohë kursin e përgatitësit atletik, një figurë mjaft e rëndësishme që do të jetë me detyrim pjesë e stafeve të klubeve të Kategorisë Superiore nga sezoni i ardhshëm.

Në kuadër të nisjes së këtij kursi, përgatitësi atletik i Kombëtares shqiptare të futbollit, Iris Selimi, në një prononcim për fshf.org shpjegon rëndësinë e përgatitësit atletik.

“Një figurë gjithmonë e më e kërkuar kjo e përgatitësit atletik sot, si në futbollin europian ashtu edhe në Shqipëri. Kërkesa është gjithmonë e më e lartë, jo vetëm për rritjen e performancës por edhe ngarkesa që i duhet dhënë lojtarit. Kjo në fakt edhe për ndeshjet e shumta që janë prezente në kampionat, ku duhen pasur parasysh edhe dëmtimet që mund të ndodhin. Mund të themi që është një figurë gjithmonë e më prezente në stafet europiane dhe ka një kërkesë të lartë sa i përket futbollit në vendin tonë. Kjo falë edhe Federatës së Futbollit, ku në rregulloren e re, nga viti i ardhshëm klubet do të kenë me detyrim këtë figurë në stol”- shprehet Selimi.

Ai shpjegon më tej edhe risitë që ofrohen këtë herë në këtë kurs.

“Nuk është kursi i parë që Sektori Teknik i Federatës organizon, por ajo që është risi në formatin e programimit të këtij lloj kursi, është se do të marrin pjesë 25-30 pedagogë të jashtëm, ndërkombëtarë, ku me eksperiencën e tyre dhe me njohuritë e tyre do ta bëjnë më të vlefshëm dhe më cilësor si kurs”- vijon në fjalën e tij përgatitësi atletik i Kombëtares.

Ndërkaq Iris Selimi thekson se përgatitësit atletikë mund të licencohen vetëm nga FSHF teksa shpjegon edhe mënyrën se si do të zhvillohet kursi.

“Dua të theksoj faktin se Federata Shqiptare e Futbollit është e vetmja që licencon përgatitësit atletikë. Është një kurs kombëtar, i përbërë nga 106 orë, ku tematikat do të jenë nga metodologjia, teoria e stërvitjes e deri te mjekësia dhe “match analysis”, ku do të marrin pjesë edhe stafi i Kombëtares tonë.

Kursi do të jetë intensiv, fillon me datë 27 prill dhe përfundon më 28 maj. Do të zhvillohet 5 herë në javë, nga e hëna deri të premten. Do të zhvillohen kurse edhe pasdite. Përveç kursit fizik, kursi do të zhvillohet edhe online, përmes platformës ZOOM, ku do të marrin pjesë lektorë nga shumë shtete, si për shembull Spanja, që kanë marrë pjesë në Kombëtaret e Kinës, Italisë e Anglisë.”- përfundon Selimi.

Bëhet fjalë për një mundësi të shkëlqyer për të gjithë të interesuarit që duan të kualifikohen profesionalisht dhe të bëjnë karrierë si përgatitës atletik.

Të gjithë personat e interesuar për këtë kurs, janë të lutur të kontaktojnë në adresat e mëposhtme:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033