Kursi i përgatitësit atletik, Ferretti e Azzalin sjellin përvojën e klubeve të njohura në Europë - FSHF

Kursi i përgatitësit atletik, Ferretti e Azzalin sjellin përvojën e klubeve të njohura në Europë

Rikthehet pas suksesit të edicionit të parë kursi i përgatitësit atletik i organizuar nga FSHF. Kursi i cili fillon me datë 27 prill dhe zgjat një muaj , kësaj radhe do të zhvillohet edhe online për t’i ardhur në ndihmë edhe personave që nuk ndodhen fizikisht ne Tiranë.

Emra të rinj i shtohen listës së lektorëve. Figura të njohura ndërkombëtare do të japin kontributin e tyre në formimin e këtij profesioni gjithmonë e më të rëndësishme për futbollin shqiptar dhe europian.
Bëhet fjalë për Ferretto Ferrettin dhe Andrea Azzalin.

Ferretto Ferretti është diplomuar në Institutin Superior të Edukimit Fizik në Torino. Nga viti 2009 është lektor i teorisë dhe metodologjisë së stërvitjes pranë Federatës Italiane të Futbollit në Koverçano, Firence.

Gjithashtu lektor pranë universitetit “Cattolica del Sacro Cuore” në Milano dhe në Universitetin telematik “Unisanraffaele” të Romës, gjithmonë në teorinë dhe metodologjinë e stërvitjes në futboll.
Në karrierën e tij ka punuar si përgatitës atletik me skuadra si Atalanta, Sampdoria, Torino, Monza, Napoli dhe Reggina dhe është autor i 6 librave dhe shumë shkrimeve mbi fushën e përgatitje atletike të sportistëve.

Tjetër emër i rëndësishëm është Andrea Azzalin. I diplomuar në Universitetin e Varese-s për Shkenca Lëvizëse dhe me Master në Universitetin e Milanos, Andrea është aktualisht përgatitës atletik i kombëtares së Ukrainës. Në karrierën e tij numërohen eksperienca si përgatitës atletik në skuadra si Fulham, Nantes, Leicester, Bari, Monaco, etj.

Bashkë me emra të tjerë të njohur si Roberto Sassi, ish-trajner i përgatitjes atletike të Juventusit, Chelsea-t e shumë klubeve të njohura europiane; Davide Pisoni, trajner dhe përgatitës atletik i njohur në Itali; Francesco Perondi, aktualisht lektor pranë Qendrës Teknike të Federatës Italiane Të Futbollit në Coverciano; Armando Fucci përgatitës atletik në skuadra si Benevento, Nocerino, Genoa dhe një eksperiencë trevjeçare tek skuadra e Juventusit; vijnë për të ofruar njohuritë dhe eksperiencën e tyre për pjesëmarrësit në kursin e organizuar nga FSHF.

Ashtu si herën e kaluar, kursi drejtohet nga stafi i përgatitësit atletikë në Sektorin e Edukimit të FSHF, Luigi Febbrari, Luca Laurenti, Iris Selimi, por edhe ekspertë të fushës nga Shqipëria dhe jashtë saj.
Kursi, që do të nisë më datë 27 prill 2021 dhe do të zgjasë një muaj, do të zhvillohet në ambientet e FSHF-së.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit që duan të kualifikohen profesionalisht dhe të bëjnë karrierë si përgatitës atletik, pasi në sezonet e ardhshme ky rol do të jetë i detyrueshëm për klubet profesioniste shqiptare të futbollit.
Të gjithë personat e interesuar për këtë kurs, janë të lutur të kontaktojnë në adresat e mëposhtme:
E-mail: [email protected]
Nr. tel: +355 68 404 0033


Duke kontrolluar karten...