Kursi për formimin e fizioterapistëve, flet Dr. Todhe: Nisma e FSHF-së, për t’u admiruar - FSHF

Kursi për formimin e fizioterapistëve, flet Dr. Todhe: Nisma e FSHF-së, për t’u admiruar

Kursi i formimit për fizioterapistë i organizuar nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit vijon sipas programit, teksa në ditë e dytë ka pasur edhe një relator të njohur, i cili ka ndarë me pjesëmarrësit eksperiencën e tij të vyer në fushën e mjekësisë.

Kirurgu ortoped, Dr. Dritan Todhe, ka qenë i ftuar në ditën e dytë të kursit për të dhënë leksione në lidhje me patologjitë e lëndimeve në gjymtyrëvt e sipërme e më konkretisht trajtimin e problematikave të supit. Doktori i njohur, i cili ka qenë edhe më parë pjesë e relatorëve në kurset për formimin e fizioterapistëve të organizuara nga Departamenti i Mjekësisë në FSHF, ka vlerësuar nismën për kualifikimin e vazhdueshëm të personelit të mjekësisë sportive në ekipet e futbollit, teksa shpjegon edhe në detaje temën e trajtuar këtë leksion të radhës.

“Organizimi i këtyre kurseve nga FSHF për kualifikimin e personelit që merret me kujdesin mjekësor në ekipet tona sportive, por edhe më gjerë, është një iniciativë për t’u admiruar dhe për t’u përkrahur. Është një kërkesë e kohës dhe një kërkesë e profesionit, që kohët e fundit është modernizuar shumë dhe është vendosur në shina gjithnjë e më tepër shkencore. Kursi aktual, që është pjesë e një cikli kursesh të organizuara nga FSHF ka të bëjë me trajtimin e problematikave të supit, – thotë Todhe. -Konkretisht, unë paraqita sot një temë në të cilën trajtuam problematikën më të gjerë të supit që nga elementët anatomikë, vizita, patologjitë e ndryshme, frakturat, luksacionet, problematikat e lindura në fëmijët e vegjël edhe në moshat pak më të mëdha, trajtimin e tyre dhe vendosëm disa shina bashkëpunimi në të cilat mirë do të ishte që të unifikohej e gjithë mjekësia sportive në gjithë vendin për trajtimin e patologjive sportive tashmë me metoda gjithmonë e më avangardë”, – tha doktor Todhe, në një prononcim për Fshf.org, duke shtuar më tej: – “Është një kurs që nxjerr në pah problemet aktuale me të cilat përballen fizioterapistët, mjekët sportivë dhe të gjithë ata që merren me trajtimin e pjesës mjekësore ose me mbështetjen mjekësore të ekipeve tona sportive dhe të sportit tonë në përgjithësi. Ky kurs treditor trajton problemet e anatomisë, patologjive, trajtimit të tyre qoftë operativ, qoftë edhe konservativ, vendosjen në baza shkencore tashmë të trajtimeve fizioterapeutike, një lidhje dhe një bashkëpunim më i mirë i të gjitha njësive që merren me këtë punë, fizioterapi, mjekë kirurgë ortopedë, traumatologë, mjekë sportivë, të cilët të gjithë bashkë në një unison në fund të fundit i shërbejnë rritjes së cilësisë sportive për të gjithë, jo vetëm për ata që merren me sport”.

Sakaq, Dritan Todhe theksoi se organizimi i këtyre kurseve është një kontribut për specialistët e fushës dhe një mundësi mjaft e mirë që ofron FSHF. “Iniciativa e FSHF-së do të vazhdojë me organizimin e kurseve të tjera. Deri më tani kemi organizuar kursin për kirurgjinë e gjurit, për problematikat e gjurit, të koksofemoralit, talokoralit, supit e besoj do të vazhdojë më tutje me organizimin e kurseve të tjera, që do të kompletojnë në fund të fundit atë që mungonte deri më sot nga shoqata dhe organizma të tilla”, – tha ndër të tjera kirurgu Todhe.

Kursi për formimin e fizioterapistëve po zhvillohet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit nën udhëheqjen e drejtuesit të Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, doktor Gianluca Stesina dhe koordinatorit të departamentit, Ilvi Begolli. Kursi zgjat për tre ditë me radhë dhe janë 35 pjesëmarrës, ndërsa synimi kryesor i organizatorëve është përmirësimi i vazhdueshëm i nivelit të mjekësisë sportive në vendin tonë. Përveç Stesinës dhe Begollit, leksione në këtë kurs do të japin edhe mjekë të njohur të specializuar për këtë lloj patologjie.