Kursi i përgatitjes atletike / Edhe dy trajnerët e PSG-së dhe Barcelonës në listën e lektorëve - FSHF

Kursi i përgatitjes atletike / Edhe dy trajnerët e PSG-së dhe Barcelonës në listën e lektorëve

Federata Shqiptare e Futbollit rikthen kursin për trajnerin e përgatitjes atletike, një figurë kyçe e stafi teknik në futbollin e sotëm. Pas suksesit të edicionit të kaluar, Federata po organizon kursin e radhës për të vënë eksperiencën e saj në dispozicion të gjithë atyre të interesuarve që duan të formohen profesionalisht për t’u marrë me këtë profesion në të ardhmen. Emra të rëndësishëm të futbollit ndërkombëtar i shtohen listës së lektorëve të këtij kursi. Bëhet fjalë për Sebastiano Pocchettinon dhe Marc Guitart Trench.

Sebastiano Pocchettino është trajner i përgatitjes atletike dhe profesionist në shkencën e sportit.

Aktualisht përgatitës sportiv i skuadrës së njohur franceze, Paris Saint-Germain, ka punuar më parë në skuadra prestigjioze si ajo e Tottenham. Edhe pse në moshë të re Pocchettino ka një eksperiencë të madhe pasi është arsimuar në këtë fushë dhe është një nga profesionistët më të mirë në qarkullim. Sebastiano është djali i ish-futbollistit të njohur argjentinas, Mauricio Pocchettino, që është aktualisht edhe trajner i PSG-së.

Ndërsa, Marc Guitart Trench, i diplomuar në Institutin Nacional të Edukimit Fizik në Barcelonë, punon prej 17 sezonesh si trajner i përgatitjes atletike pranë skuadrës së Barcelonës. Edhe ai gjithashtu një personalitet i shquar i fushës së tij me një karriere spikatur në klubin e madh spanjoll.

Këto dhe shumë figura të tjera ekspertë në fushën e përgatitjes atletike si Roberto Sassi, Massimo Neri, Davide Pisoni, Francesco Perondi, Armando Fucci, Ferretto Ferretto, Andrea Azzalin, Italo Sannicandro dhe Darcy Norman vijnë për të ofruar njohuritë dhe eksperiencën e tyre për pjesëmarrësit në kursin e organizuar nga FSHF.

Kursi fillon më datë 27 prill dhe do të zgjasë një muaj. Ndryshe nga hera e kaluar, kësaj rradhe vjen dhe online për ti ofruar mundësi pjesëmarrje edhe personave që nuk ndodhen fizikisht në Tiranë.

Ashtu si herën e kaluar, kursi do të drejtohet nga stafi i përgatitjes atletike në Sektorin e Edukimit të FSHF, Luigi Febbrari, Luca Laurenti, Iris Selimi etj.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëjnë karrierë në profesionin e përgatitësit atletik, figurë gjithmonë e më e kërkuar në sportin ndërkombëtar.

Regjistrimet janë ende të hapura edhe pse numri është i kufizuar.

Të gjithë të interesuarit për këtë kurs janë të lutur të kontaktojnë në adresat e mëposhtme për regjistrime:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033