Kursi i FSHF për trajnerët e përgatitjes atletike në fazën finale, Selimi: Ky edicion erdhi me disa risi - FSHF

Kursi i FSHF për trajnerët e përgatitjes atletike në fazën finale, Selimi: Ky edicion erdhi me disa risi

Kursi për trajnerin e përgatitjes atletike i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit i nisur në fillim të muajit janar po i afrohet fundit të këtij edicioni teksa pjesëmarrësit po i drejtohen fazës së provimeve. Trajneri i përgatitjes atletike është një figurë shumë e rëndësishme e stafit teknik në futbollin e sotëm e që është bërë një rol thelbësor për çdo klub profesionist.

Ky edicion i radhës po udhëhiqet nga specialistët e Departamentit të Përgatitjes Atletike në Sektorin e Edukimit në FSHF, Luigi Febbrari, Luca Laurenti dhe Iris Selimi, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit kanë marrë leksione nga trajnerë shumë të njohur të përgatitjes atletike në të gjithë botën, si edhe lektorë nga Shqipëria.

Përfaqësuesi i Sektorit të Përgatitjes Atletike, Iris Selimi flet për ecurinë e këtij edicioni duke treguar edhe risitë e radhës dhe emrat e lektorëve që marrin pjesë në kurs.

“Kursi i parë i përgatitjes atletike për vitin 2023, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, është një program intensiv i përbëra nga katër javë mësimore. Ky është një kurs prej gati 85 orësh ku marrin lektorë të jashtëm dhe lektorë të universiteteve të sporteve nga Tirana, Shkodra dhe fakultete të tjera private. Risia e këtij kursi është prania e pedagogëve nga jashtë vendit, emra të njohur të trajningut dhe kjo është java e fundit përmbyllëse që do të finalizohet me zhvillimin e provimeve në fundjavë ku secili nga pjesëmarrësit duhet të prezantojë një temë e një projekt të caktuar për përgatitjen fizike, për zhvillimin e performancës në sportin e futbollit. Kemi patur pedagogë të famshëm nga Italia, të cilët kanë punuar në shumë klube italiane të Serisë dhe nivel botëror. Sot në leksion kishim Andrea Scanavino, përgatitësi atletik i Kombëtares së Italisë dhe po kështu kemi patur Perondin, Sassin pra emra më të mirënjohur në nivel botëror”, – tha Iris Selimi në një prononcim për fshf.org, ndërsa theksoi se ky rol po bëhet i domosdoshëm në nivel profesionist, pasi skuadrat e futbollit elitar e kanë të detyrueshëm praninë e një trajneri atletik në stafin teknik.

“Risia tjetër ka qenë fakti se përgatitësit atletikë të licencuar prej nesh, kanë demonstruar një tematikë të tyre. Ky nuk është një kurs ku flasin vetëm pedagogët dhe shkencëtarët, por ku ne përgatitësit atletikë prezantojmë një temë dhe shpjegojmë njohuritë e fundit sa i përket sportit të futbollit. Këtë vit kemi një numër prej 24 pjesëmarrësish, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme si atletika, ish-futbollistë, arbitra, të cilët duan të zhvillojnë këtë kapacitet dhe të përgatiten për këtë profesion. Siç e dimë në rregulloret e aktiviteteve shumë shpejt do të jetë i detyrueshëm prania e përgatitësit atletik i licensuar nga FSHF në stafin teknik të ekipeve të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. Pas përfundimit të këtij edicioni do të rifillojmë menjëherë përgatitjet për kursin e radhës, ku do të merremi dhe me përditësime dhe azhornimet e përgatitësve atletike që punojnë në ekipet Kombëtare dhe ato të Superiores. I ftojmë të gjithë të interesuarit që aplikojnë për të marrë pjesë”, – nënvizoi Iris Selimi për fshf.org.

Ky edicioni i kursit të përgatitjes atletike nisi më 9 janar dhe ka qenë i ndarë në katër periudha të ndryshme gjatë vitit për t’u finalizuar më 17 mars 2023.