Kupat e Europës / Klubet shqiptare njohin rivalët e mundshëm në rast kualifikimi - FSHF

Kupat e Europës / Klubet shqiptare njohin rivalët e mundshëm në rast kualifikimi

Është hedhur ditën e sotme në Nion të Zvicrës shorti për turin e dytë kualifikues të ekipeve që do të marrin pjesë në UEFA Champions League dhe UEFA Conference League.

Skuadrat shqiptare që do të garojnë në kompeticionet europiane janë njohur me kundërshtarët e mundshëm nëse do të kalojnë raundin e parë të garës.

Në UEFA Champions League, Shqipëria do të përfaqësohet nga ekipi durrsak i Teutës, që nëse kalon raundin e parë, ku do të luajë kundër moldavëve të Sherif Tiraspol, do të përballet me fituesin e çiftit Konah Kui Nomads (Uells) – Alashkert (Armeni).

Ndërkohë, edhe në kompeticionin tjetër europian, UEFA Conference League, tre skuadrat shqiptare, Partizani, Laçi dhe Vllaznia, janë njohur gjithashtu me kundërshtarët, në rast kalimi të turit të parë.

Kështu, nëse shkodranët do të kalojnë raundin e parë kualifikues, shorti i ka përcaktuar të përballen me qipriotët e AEL Limasol.

Nga ana tjetër, kryeqytetasit do të përballen me zvicerianët e Bazelit, nëse do të kalojnë turin e parë, ku do të luajnë kundër moldavëve të Sfintul George , ndërsa ekipit të Laçit, në rast kalimi në fazën tjetër, shorti i ka përcaktuar të luajnë kundër rumunëve të Kraiovës.