Kupa e Shqipërisë U-17 & U-19 / Përcaktohen dy çiftet finaliste - FSHF

Kupa e Shqipërisë U-17 & U-19 / Përcaktohen dy çiftet finaliste

Janë luajtur ditën e sotme ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë 2021 për grupmoshat U-17 dhe U-19, ndeshje të cilat kanë përcaktuar skuadrat që do të diskutojnë ndërmjet tyre trofeun për sezonin 2020-2021.

Vllaznia dhe Tirana janë dy skuadrat që kanë siguruar kualifikimin për finalen e madhe të grupmoshës U-19, pasi kanë mundur respektivisht Shënkollin dhe Partizanin. Dy gjysmëfinale derbi, ai i veriut dhe i kryeqytetit, me Vllazninë që mundi lehtësisht 4-0 Shënkollin. Kuqeblutë e filluan lojën të orientuar drejt sulmit dhe arritën të shënojnë në minutën e 10-të dhe 18-të duke e mbyllur pjesën e parë me këtë rezultat. Pjesa e dytë vazhdon me dominimin e Vllaznisë që shënon dhe dy herë të tjera me Nikajn në minutat 66 dhe 77-të, duke mbyllur ndeshjen në 4-0 dhe siguruar tripletën e tij personale. Ndeshja tjetër gjysmëfinale, ajo ndërmjet Partizanit dhe Tiranës tregoi një lojë të luftuar dhe të dy skuadrat që kërkuan finalen brenda 90 minutave por pa arritur të gjejnë golin. Loja e rregullt përfundoi 0-0 dhe nga pika e bardhë e penalltisë, bardheblutë triumfuan 4-2.

Për grupmoshën U-17, finalja rezervon dy akademi të reja futbolli, siҫ janë Shënkolli dhe Akademia e Futbollit, të cilat mundën Vorën dhe Pepën. Lezhjanët kishin përballën Vorën, në një ndeshje plot emocione dhe raste shënimi për të dyja skuadrat. Përtej dëshirës, saktësia e goditjeve në portë mungoi dhe gjithҫka në kohën e rregullt u mbyll me barazimin e bardhë 0-0. Siҫ parashikohej dhe në rregullore, skuadrat kaluan menjëherë te goditjet e penalltive dhe saktësia e lojtarëve të Shënkollit i jep këtyre të fundit finalen e madhe. Akademia e Futbollit luajti ndeshjen e dytë gjysmëfinale me elbasanasit e Pepës dhe arriti të sigurojë finalen pas fitores 1-0 falë golit të Halilajt në minutën e 44-t të pjesës së parë. Fraksioni i dytë i lojës prodhoi shumë raste shënimi në të dyja portat por ishin bardhekuqtë e Akademisë ata që prekën finalen.

Vllaznia-Tirana dhe Akademia Futbollit-Shënkolli janë dy ҫiftet finaliste që do të diskutojnë ndërmjet tyre trofeun e parë të sezonit 2020-2021.