Futbolli i femrave rikthehet sërish këtë të shtunë, me të tjera ndeshje emocionuese që do të na përcjellë Kupa e Shqipërisë. Janë përcaktuar tashmë ekipet çerekfinaliste që do të zbresin sot në fushën e lojës, me skuadrat që do të luajnë për një biletë që do t’i dërgonte në fazën tjetër të këtij kompeticioni.
Spikat derbi Vllaznia – Murlani, me kampionet në fuqi të vendit që janë më të favorizuara, parë edhe kampionatin e mirë që kanë bërë, duke mos pësuar asnjë humbje teksa gjenden në krye të renditjes. Gjithçka do të përcaktohet ditën e sotme, me sfidën që nis nga ora 11:00 në Shkodër.
Ndërkaq, Teuta do të udhëtojë drejt kryeqytetit, aty ku do ta presë skuadra e Partizanit, që ka kaluar në këtë fazë çerekfinale pasi renditej në “TOP 4” në renditjen e kampionatit deri më tani. Durrsaket mundën ekipin e Skënderbeut me rezultatin e thellë 5-0, teksa në këtë ndeshje synojnë të bëjnë sërish mirë dhe të mund të sigurojnë biletën për në fazën tjetër. Kjo ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat do të zhvillohet ditën e sotme, duke nisur nga ora 12:00 në Kamëz.
Në kompleksin “Skënder Halili”, Tirana do të presë skuadrën e Atletik Club, në sfidën që nis nga ora 13:00 dhe që do të përcaktojë edhe gjysmëfinalisten e katërt për këtë edicion. Tirana ka bërë një kampionat të mirë në këtë vit të ri futbollistik, teksa Atletik Club mundi në turin para-eliminator skuadrën e Tirana AS.
Sakaq, Kinostudio kalon direkt në gjysmëfinale, pasi sipas vendimit të marrë në qershorin e vitit 2021 nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës, skuadra e Apolonisë së femrave është përjashtuar nga gara në këtë edicion, për shkak të braktisjes së ndeshjes finale kundër Vllaznisë, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë për femra në edicionin e kaluar.
E shtunë/ Vllaznia – Murlani, ora 11:00
E shtunë/ Partizani – Teuta, ora 12:00
E shtunë/ Tirana – Atletik Club, ora 13:00

















