Kupa e Shqipërisë për femra/ Kinostudio, Teuta & Atletik Club kalojnë në çerekfinale - FSHF

Kupa e Shqipërisë për femra/ Kinostudio, Teuta & Atletik Club kalojnë në çerekfinale

Janë zhvilluar këtë fundjavë tre ndeshjet e turit paraeliminator të vlefshme për Kupën e Shqipërisë për femra, ku janë përcaktuar edhe tre ekipet çerekfinaliste të këtij sezoni.

Kinostuio, Teuta dhe Atletik Club janë tre skuadrat që i bashkohen Vllaznisë, Tiranës, Partizanit dhe Murlanit në çerekfinalen e këtij kompeticioni.

Në përballjen e së shtunës mes Kinostudios dhe Lushnjes, kryeqytetaset dominuan dhe fituan me manita ndaj myzeqareve. Serinë e golave për Kinostudion e hapi Kadiolli që në minutën e tetë, teksa shtatë minuta më vonë shënoi edhe Tori që dyfishoi shifrat. Fraksioni i parë i lojës u mbyll në avantazhin e vajzave të kryeqytetit, që edhe pjesën e dytë e nisën sërish me gol, teksa kësaj radhe ishte Doce ajo që realizoi golin e tretë. Golin e vetëm për lushnjaret e shënoi Çemeri në minutën e 65-të të takimit. Pak minuta para përfundimit të lojës, Kadiolli shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për skuadrën, teksa në minutën e 86-të, Cyme Lulaj realizoi golin e pestë dhe të fundit për Kinostudion, që kalon kështu në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë.

Sakaq, ditën e sotme u zhvilluan edhe dy ndeshjet e tjera. Drejt qytetit bregdetar të Durrësit udhëtuan vajzat e Skënderbeut, që u mundën me shifrat 5-0 nga ekipi i Teutës. Bregdetaret shënuan dy gola të shpejtë në pjesën e parë, me Ndrelalaj dhe Malaj, teksa në 45 minutëshin e dytë shënuan edhe Bushi, Gjyriqi dhe Disha. Një fitore e madhe kjo për vajzat e Teutës, të cilat dominuan dhe fituan, duke siguruar kështu biletën për në çerekfinale.

Një ndeshje mjaft e fortë u zhvillua në Shkodër, mes Atletik Club dhe Tirana AS, ku koha e rregullt e sfidës u mbyll në barazimin 2-2 dhe skuadrat iu drejtuan minutave shtesë për të përcaktuar fituesin e kësaj ndeshje. Tirana AS hapi sfidën që në minutën e 8-të, me Palaj e cila kaloi në avantazh kryeqytetaset, teksa Armoku barazoi shifrat në minutën e 17-të. Mema realizoi edhe golin e dytë për Tirana AS, me skuadrat që u drejtuan në dhomat e zhveshjeve me rezultatin 1-2. Blutë e kryeqytetit arritën të fitonin një penallti, që nuk u shfrytëzua mirë nga Koldashi në minutën e 79-të, e cila humb mundësinë për të trefishuar shifrat. Kur thuajse gjithçka kishte mbaruar, Markaj gjen golin e barazimit për shkodranet dhe e dërgon lojën në shtesë. Pak minuta para se të mbyllej edhe fraksioni i dytë i shtesës, Iris Armoku shënon golin e tretë për Atletik Club duke i dhënë kështu fitoren ekipit shkodran, që kalon në fazën çerekfinale së bashku me Kinostudion dhe Teutën.

Rezultatet e ndeshjeve:

Kinostudio 5-1 Lushnja

Teuta 5-0 Skënderbeu

Atletik Club 3-2 Tirana AS