Kupa e Shqipërisë për femra/ Derbi Tirana-Partizani përcakton gjysmëfinalisten e tretë - FSHF

Kupa e Shqipërisë për femra/ Derbi Tirana-Partizani përcakton gjysmëfinalisten e tretë

Rikthehet derbi i kryeqytetit në futboll për femra. Tirana-Partizani do të përballen të mërkurën e 3 marsit me njëra-tjetrën, në një sfidë emocionuese, e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Partizani vjen në këtë ndeshje pas një fitoreje të thellë kundër shkodraneve të AAS, ku të kuqet treguan formë mjaft të mirë. Kjo është hera e parë në histori që këto dy ekipe do të luajnë në një aktivitet të tillë, ndërsa hera e tretë që do të përballen mes tyre. Dy ekipet e kryeqytetit, deri tani kanë zhvilluar dy ndeshje mes njëra-tjetrës, një prej tyre në kuadër të Ditës Kombëtare të Depistimit për Kancerin e Gjirit, miqësore e organizuar nga Federata Shqiptare e futbollit, që u fitua nga ekipi i Tiranës. Edhe ndeshja e dytë e zhvilluar mes këtyre dy ekipeve, e vlefshme për kampionatin e Kategorisë Superiore të femrave u fitua nga Tirana e vajzave, me rezultatin 4-1.

Në këtë ndeshje pritet të përcaktohet edhe gjysmëfinalistja e tretë, pas Vllaznisë dhe Tirana AS. Fituesja e këtij çifti do të përballet në gjysëmfinale me Apolonine, në një ndeshje teke në Fier.