Kupa e Shqipërisë/ Ndeshjet e kthimit të fazës së 1/16-ave luhen të enjten & të premten, ja oraret - FSHF

Kupa e Shqipërisë/ Ndeshjet e kthimit të fazës së 1/16-ave luhen të enjten & të premten, ja oraret

Pas ndeshjeve të javës së 19-të të kampionatit ‘Abissnet Superiore’, skuadrat do të rikthehen sërish në fushë, për të luajtur ndeshjet e kthimit të fazës së 1/16-ave Kupës së Shqipërisë. Këto takime do të zhvillohen të ndara në dy ditë, ku gjashtë ndeshje do të luhen të enjten, ndërsa dy sfidat e tjera të premten.

Të gjashta ndeshjet e të enjtes janë planifikuar të nisin në të njëjtën orë, 13:00. Egnatia do të presë në shtëpi Skënderbeu në një sfidë që është e hapur, teksa takimi i parë mes tyre ka përfunduar me rezultatin 1-0 në favor të rrogozhinasve, 1-0. Korçarët do të kërkojnë të përmbysin rezultatin, teksa Egnatia do të kërkojë të ruajë fitoren e të synojë kualifikimin për në fazën tjetër.

Një tjetër takim mjaft interesant është edhe ai mes Kastriotit dhe Dinamos që do të luhet në Kamëz.  Krutanët kanë fituar ndeshjen e parë me shifrat 3-1 dhe do të kërkojnë të administrojnë këtë rezultat, ndërsa kryeqytetasit shpresojnë të përmbysin ndeshjen e parë, duke ëndërruar kualifikimin për në çerekfinale.

Sakaq, në ndeshjen Tirana-Lushnja nuk priten surpriza, teksa kryeqytetasit kanë triumfuar në takimin e parë me rezultatin 3-0. Sfida e kthimit mes dy skuadrave do të luhet në kryeqytet në stadiumin ‘Selman Stërmasi’.

Një tjetër sfidë mjaft interesante dhe e luftuar pritet të jetë ajo mes Apolonisë dhe Kukësit. Fierakët do të udhëtojnë drejt qytetit verior për përballjen ndaj Kukësit, teksa takimi i parë mes tyre është mbyllur me rezultatin e bardhë 0-0. Të dyja skuadrat kërkojnë kualifikimin, teksa kjo ndeshje do të zhvillohet në impiantin modern ‘Kukës Arena’.

Gjithçka duket e lehtë për ekipin e Laçit, që në sfidën ndaj Tomorrit janë më superiorë, pas triumfit me shifrat 3-1 në takimin e parë. Ndeshja e kthimit do të luhet në Berat, teksa beratasit do të luajnë shanset e tyre për të përmbysur rezultatin e parë.

Takimi i fundit i ditës së enjte është dueli mes Partizanit dhe Korabit, ku të kuqtë do të tentojnë të ruajnë rezultatin 3-1 të takimit të parë mes tyre, ndërsa Korabi do të kërkojë të bëjë mrekullinë, duke shpresuar te një përmbysje dhe kualifikim për në fazën tjetër.

Ndërkaq, dita e premte ka rezervuar vetëm dy ndeshje që do të luhen në orare të ndryshme. takimi i parë i së premtes, Vllaznia-Bylis do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, në ora 13:00. Shkodranët kanë fituar ndeshjen e parë mes tyre me shifrat 2-0, ndërsa Bylisi shpreson te një përmbysje e rezultatit, falë edhe momentit të mirë që ballshiotët po kalojnë.

Siparin e ndeshjeve të fazës së 1/16-ave të Kupës së Shqipërisë do ta mbyllë derbi Teuta-Erzeni që do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës në ora 16:00. Kjo ndeshje pritet të jetë mjaft e luftuar, teksa gjithçka është e barabartë mes dy ekipeve, me ndeshjen e parë që ka përfunduar me shifrat 1-1.

 

TË ENJTEN

Tirana-Lushnja (3-0) ora 13:00

Partizani-Korabi (1-3) ora 13:00

Kastrioti-Dinamo (3-1) ora 13:00

Egnatia-Skënderbeu (1-0) ora 13:00

Kukësi-Apolonia (0-0) ora 13:00

Laçi-Tomori (3-1) ora 13:00

TË PREMTEN

Vllaznia-Bylis (2-0) ora 13:00

Teuta-Erzeni (1-1) ora 16:00