Kupa e Shqipërisë / Laçi, Vllaznia, Teuta e Skënderbeu kalojnë në gjysmëfinale - FSHF

Kupa e Shqipërisë / Laçi, Vllaznia, Teuta e Skënderbeu kalojnë në gjysmëfinale

Janë luajtur sot katër ndeshjet e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për edicionin 2020/2021, që kanë përcaktuar ekipet e kualifikuara për në fazën gjysmëfinale.

Ndeshja më interesante ishte ajo mes Laçit dhe Partizani, me ekipin kurbinas që triumfoi në fund dhe arriti të sigurojë biletën për në gjysmëfinale. Koha e rregullt u mbyll në shifrat e barabarta 0-0 me raste për shënim nga të dyja skuadrat, por asnjëra nuk gjeti do rrugën e rrjetës. Edhe shtesa përfundoi pa gola dhe pas 120 minutave skuadrat iu drejtuan pikës së bardhë të 11-metërshave. Lojtarët e Laçit ishin më të saktë nga penalltitë, ndërsa të kuqtë gabuan dy herë duke fiksuar rezultatin në 4-3.

Në duelin tjetër më të fortë të kësaj faze, Teuta ia doli të kualifikohej pasi eliminoi Kukësin falë një fitoreje minimale 1-0. Golin e fitores do ta realizonte një nga lojtarët më me eksperiencë të durrsakëve, Emiliano Vila në minutën e 9-të. Mesfushori gjendet në vendin e duhur pas krosimit të Todorovskit dhe godet saktë me kokë, duke e derguar topin në rrjetë. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund pavarësisht rasteve nga të dyja skuadrat.

Edhe Vllaznia u mjaftua me një fitore 1-0 për të kaluar Korabin dhe për t’u kualifikuar. Goli vendimtar u shënua në minutën e 16-të të takimit, me Arsid Krujën që u tregua i saktë me një goditje nga distanca, duke vulosur kualifikimin.

Skënderbeu mundi Dinamon 3-1 në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke siguruar biletën e katërt për në fazën gjysmëfinale. Në minutën e 21-të sulmuesi Mensah kaloi korçarët në avantazh, ndërsa në minutën e 43-të Berisha çon shifrat në 2-0. Skënderbeu vulosi pothuajse kualifikimin në minutën e 59-të me golin e Pusit, ndonëse Dinamo realizoi golin e vetëm në minutën e 63-të me anë të brazilianit Welber.

Laçi, Teuta, Vllaznia dhe Skënderbeu janë pra skuadrat që kalojnë në turin gjysmëfinal, por dy çiftet do të përcaktohen përmes shortit që do të hidhet në ditët në vijim.
Ndeshjet e gjysmëfinaleve do luhen më datë 14 prill dhe me një takim, ndërsa finalja e Kupës së Shqipërisë 2020/2021 do të zhvillohet më 30 maj.

Kupa e Shqipërisë 2020/2021
Faza çerekfinale

KF Laçi – KF Partizani 0 – 0 (4 – 3 pen)

KF Vllaznia – KS Korabi 1 -0
Golat: Kruja 16’

KF Teuta – FK Kukësi 1 – 0
Golat: E. Vila 9’

FK Dinamo – KF Skënderbeu 1 – 3
Golat: Welber 63’ / Mensah 21’, Berisha 43’, Pusi 58’