Kombëtarja U-15 mbërrin në Bosnje-Hercegovinë, ndryshime në listë dhe në kalendarin e turneut - FSHF

Kombëtarja U-15 mbërrin në Bosnje-Hercegovinë, ndryshime në listë dhe në kalendarin e turneut

Kombëtarja shqiptare U-15, pas tri ditësh grumbullim dhe stërvitje në Durrës, ka mbërritur në Bosnje-Hercegovinë, ku do të marrë pjesë në turneun “Josip Katalinski Škija” që zhvillohet në datat 24-26 maj.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama zhvilluan paraditen e sotme seancën e parë stërvitore në Sarajevë. Tekniku shqiptar do të ketë mundësinë të stërvisë edhe sot pasdite e nesër Kombëtaren, përpara debutimit me Bosnje – Hercegovinën të mërkurën. Gjendja në kampin kuqezi paraqitet mjaft e mirë, teksa të gjithë lojtarët janë impenjuar maksimalisht dhe e kanë marrë seriozisht këtë turne.

Sakaq, departamenti i komunikimit në FSHF bën me dije se futbollisti i Southampton, Klevi Bajrami nuk i është bashkuar ekipit kuqezi në këtë grumbullim. Ndërkaq, për arsye shëndetësore, as Armend Muslika i Tottenham nuk do të jetë nën urdhrat e trajnerit Dama. Muslika është zëvendësuar nga lojtari i Tiranës, Reinald Krrashi.

Departamenti i komunikimit në FSHF bën me dije një tjetër ndryshim sa i përket turneut në Bosnje-Hercegovinë. Përfaqësuesja e Arabisë Saudite nuk ka udhëtuar drejt Bosnjes dhe nuk do të marrë pjesë në këtë turne. Kësisoj, Shqipëria U-15 në ndeshjen e dytë të turneut nuk do të përballet me përfaqësuesen e Arabisë Saudite, por me ekipin e Celikut të Zenicës, që është bërë pjesë e turneut së fundmi.

Ky është testi i parë real për kuqezinjtë për këtë vit, të cilët duan t’ia dalin me sukses dhe të afirmohen për të tjera grumbullime me kombëtaren. Ndeshja e parë e Shqipërisë është kundër Bosnje-Hercegovinës (të mërkurën në ora 13:00) ndërsa takimi i dytë i Kombëtares U-15 është përballë Celikut (të enjten në ora 13:00).