Kombëtarja rinis përgatitjet në Shqipëri, ja situata para sfidës me Poloninë - FSHF

Kombëtarja rinis përgatitjet në Shqipëri, ja situata para sfidës me Poloninë

Kombëtarja shqiptare është kthyer në atdhe menjëherë pas fitores së madhe në transfertë ndaj Hungarisë të shtunën mbrëma. Kuqezinjtë kanë udhëtuar menjëherë pas ndeshjes drejt Shqipërisë për të mbërritur në orët e para të mëngjesit në kompleksin Tropikal në Durrës. Paraditja ka qenë pushim, ndërsa pasdite i gjithë grupi ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore me lojtarët të cilët nuk u aktivizuan që punuan më shumë në fushë. Ndërsa lojtarët të cilët u aktivizuan bënë vetëm pak ushtrime.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se i gjithë grupi është i plotë me përjashtim të Bekim Balajt dhe Berat Gjimshitit të dëmtuar. Mbrojtësi pësoi një frakturë në krah gjatë ndeshjes me Hungarinë dhe të hënën do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Përveç Balajt e Gjimshitit ndaj Polonisë do të mungojë edhe Endri çekiçi i skualifikuar për shkak kartonësh. Të hënën trajnerit Edy Reja dhe kapiteni Etrit Berisha do të dalin në konferencën zyrtare për media në ora 13:00, ndërkohë që ekipi do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore.

Kuqezinjtë do të përballen të martën me Poloninë në stadiumin “Air Albania” të Tiranës në atë që mund të quhet një finale për vendin e dytë të Grupi I në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” e që mund të përkthehet në një biletë për fazën play-off.