Kombëtarja humbet miqësoren e dytë me Republikën Çeke - FSHF

Kombëtarja humbet miqësoren e dytë me Republikën Çeke

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar mbrëmjen e sotme ndeshjen e dytë miqësore të planifikuar për muajin qershor ndaj Republikës Çeke.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edoardo Reja zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, por ishin të pafat, teksa u mundën me rezultatin 3-1 nga çekët, të cilët kaluan në avantazh të parët, me Patrik Schik që në minutën e 18-të.

Ishte bomberi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, ai i cili vendosi në baraspeshë rezultatin, me një goditje me të djathtën nga jashtë zone, duke shënuar një eurogol në minutën e 43-të të takimit.

Në fraksionin e dytë të lojës, ndeshja nis më e luftuar, me kuqezinjtë që kërkuan të shënonin golin e dytë dhe të gjenin avantazhin. Trajneri Reja vendos të freskojë mesfushën në minutën e 54-t, teksa hedh në fushë Çekicin për Kallakun. Në minutën e 68-të, çekët shënojnë sërish, ndërsa dy minuta më vonë, kuqezinjtë kundërpërgjigjen me Cikalleshin, i cili provon sërish nga jashtë zonë, por kësaj radhe është portieri çek ai i cili e ndal, teksa pret një goditje të fortë të tijën.

Në minutën e 71-të, tekniku kuqezi vendos të bëjë dy ndryshime të tjera, teksa hedh në fushë Lenjanin dhe Dokën dhe dalin nga loja Trashi dhe Veseli. Disa raste të mira për Kombëtaren gjatë këtyre minutave, të cilët mundohen të bëjnë pressing te kundërshtari, por nuk ia dalin të finalizojnë.

9 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Reja bën dhe ndryshimet e fundit, teksa hedh në fushë Balaj, Seferin dhe Laçin dhe lënë fushën Cikalleshi, Manaj dhe Abrashi.

Balaj pati një rast të mirë për të barazuar rezultatin, por u ndal nga portieri, me një aksion që nisi nga këmbët e Dokës, duke harkuar një top, që goditet me kokë nga Balaj.

Çekët shënojnë edhe golin e tretë në minutën e 89-të të takimit duke vulosur rezultatin final 3-1, me kuqezinjtë që zhvilluan një lojë shumë të mirë, duke u afruar shpeshherë në portën kundërshtare dhe duke krijuar disa raste për gol, por që ishin të pafat për të realizuar.

Shqipëria zhvilloi tre ditë më parë një tjetër miqësore ndaj Uellsit, që përfundoi me shifrat 0-0. Këto dy miqësore kundër dy kundërshtarëve që janë pjesë e finaleve të kampionatit europian, i shërbyen trajnerit Reja si teste përpara ndeshjeve eliminatore të shtatorit, kundër Hungarisë, Polonisë dhe San Marinos, sfida të vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”.