Kombëtarja e femrave/ Doçi & Curraj: Kemi ndeshje të vështira. “Air Albania” na jep shpresë - FSHF

Kombëtarja e femrave/ Doçi & Curraj: Kemi ndeshje të vështira. “Air Albania” na jep shpresë

Shqipëria e femrave është në ditën e tretë të grumbullimit në kuadër të dy sfidave të nëntorit që vajzat kuqezi do të zhvillojnë kundër Norvegjisë dhe Kosovës, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Nga stërvitja e ditës së sotme në kompleksin “Tropikal” në Durrës, Megi Doçi dhe Arbenita Curraj janë prononcuar për fshf.org, ku kanë folur në lidhje me këto dy ndeshje të rëndësishme si dhe kanë treguar atmosferën në kampin kuqezi. Fillimisht, vajzat e drejtuar nga Armir Grima do të luajnë ndaj Norvegjisë, në stadiumin kombëtar “Air Albania” më 25 nëntor, ndërsa më 30 nëntor do të zhvillojnë ndeshjen e dytë të këtij muaji në transfertën e Kosovës, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kapitenia e ekipit, Megi Doçi komentoi fillimisht gjendjen e ekipit, teksa u shpreh se vajzat janë në formë të mirë, ndërsa foli edhe për dy ndeshjet ndaj Norvegjisë dhe Kosovës. Doçi theksoi se grupi është me këmbë në tokë, pasi e di mjaft mirë që Norvegjia është një nga ekipet më të forta në futbollin e femrave në botë, e megjithatë për ekipin është e rëndësishme të bëjë një ndeshje të mirë dhe të japë maksimumin. Sa i përket ndeshjes së dytë me Kosovën, Megi Doçi kërkon vetëm tre pikët.

Forma e grupit – Mendoj se gjendja e ekipit është mjaft e mirë, duke pasur parasysh që edhe ekipi është grumbulluar i gjithi. Kemi ndeshje të vështira në vazhdim. Luajmë kundër një ekipi të madh si Norvegjia, që ka shumë vite në futboll dhe që kanë ecur shumë mirë në futbollin në botë.

Objektivat për këto dy ndeshje – Siç e kam thënë edhe më parë, synimet janë të mëdha, pasi kemi treguar që dimë të luajmë futboll dhe të ecim mirë në këto ndeshje që kemi për të bërë dhe të bëjmë surprizën. Norvegjia nuk është një ekip që ne mund të fluturojmë dhe të themi do të fitojmë, pasi e dimë mjaft mirë se çfarë ekipi kemi përballë. E rëndësishme është që ekipi të bëjë një ndeshje të mirë dhe pse jo mos të luajmë për një rezultat pozitiv. Por gjithsesi, besimi te vajzat mendoj është. Grupi është mjaft i mirë dhe shpresojmë të japim maksimumin. Synimet janë të mëdha, fokusohemi te ndeshja me Norvegjinë dhe duhet pasur parasysh që ndeshjet merren njëra pas tjetrës dge sigurisht që dhe te Kosova shkojmë për të fituar.

A mund të marrë tre pikët Shqipëria ndaj Kosovës?-  Besoj që po, pasi kemi treguar që nga viti në vit kemi rritje. Mendoj se ky grup është mjaft i mirë, pasi ka vite që luajmë bashkë dhe në vazhdim besoj se do tregojmë që dimë të fitojmë dhe dimë të luajmë shumë mirë futboll dhe të marrim tre pikët.

Arbenita Curraj, një nga elementet kyçë të mbrojtjes kuqezi theksoi gjithashtu se atmosfera në kampin kuqezi është shumë e mirë, ndërsa vlerësoi Norvegjinë dhe Kosovën si dy kundërshtare të forta. Curraj foli edhe për ndjesinë e të luajturit në një stadium si Air Albania, teksa shpreson që ekipi të marrë një rezultat të mirë ndaj Norvegjisë në shtëpi.

Atmosfera në ekip – Si gjithmonë, atmosfera në ekipin tonë është shumë e mirë, duke u bazuar edhe se po vijmë nga kampionati që po luhet në vendin tonë dhe besoj që dhe situata në grup është shumë e mirë.

Synimet në këto dy sfida – Normal, për çdo ndeshje synimi ynë është që të marrim pikë maksimale, por e dimë që Norvegjia është një nga top favoritet në grupin tonë, por që me Kosovën shkojmë absolutisht për të marrë pikët maksimale.

A duhet të ndihen favorite vajzat kuqezi kur luajnë në “Air Albania”? – Kur luan në shtëpinë tënde është gjithmonë më mirë dhe duke u bazuar edhe te ndeshja e parë e jona kundër Armenisë në Air Albania ku fituam 5-0, kemi shumë shpresa që do të bëjmë një paraqitje shumë të mirë dhe të marrim rezultatin maksimal që ne mundemi nga kjo ndeshje.

× WhatsApp