Kategoria Superiore U-21 / Vllaznia është kampionia e edicionit 2022/2023 dhe ngre trofeun! - FSHF

Kategoria Superiore U-21 / Vllaznia është kampionia e edicionit 2022/2023 dhe ngre trofeun!

Kategoria Superiore U-21 ka ulur siparin e sezonit 2022/2023 këtë javë duke kurorëzuar Vllazninë si ekipin kampion. Skuadra shkodrane U-21 arriti të shpallej fituese pasi u rendit në vendin e parë të kampionatit pasi 27 javësh me 45 pikë të grumbulluara.

Vllaznia, që kishte siguruar ndërkohë trofeun para finishit duke lënë pas Partizanin dhe Bylisin, luajti ndeshjen e javës së fundit ndaj Tiranës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës me sfidën që u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të ekipit shkodran.

Kuqeblutë triumfuan falë golit të Dulajt dhe autogolit të Gjinajt, teksa për bardheblutë golin e vetëm e realizoi Bala. Ndërkohë që në përfundim të ndeshjes u zhvillua edhe ceremonia e rastit nga FSHF me ish-trajnerin e njohur shkodran, Agim Medja i dorëzoi futbollistëve kuqeblu trofeun e kampionit dhe medaljet.

Kategoria Superiore U-21 është një iniciativë e rëndësishme e ndërmarrë nga Federata Shqiptare e Futbollit disa vite më parë dhe një projekt me vlera për futbollin e të rinjve.

Përmes këtij kampionati lojtarët e shumtë të cilët mbyllin ciklin me ekipet e moshave U-19 dhe nuk kanë hapësira momentale për të vazhduar karrierën me ekipet e të rriturve, u jepet shansi të aktivizohen sa më shumë me ekipet e 21-vjeçarëve.

Edhe për klubet që kanë shumë lojtarë që vijnë nga akademitë është një mundësi e mirë për të pasur futbollistë që aktivizohen me ekipet U-21 dhe mund të jenë të gatshëm në çdo moment për të luajtur me ekipet e të rriturve.