Kategoria Superiore U-19/ Faza play-out, njihuni me ekipet që vazhdojnë qëndrimin në Superiore - FSHF

Kategoria Superiore U-19/ Faza play-out, njihuni me ekipet që vazhdojnë qëndrimin në Superiore

Edhe ndeshjet e Kategorisë Superiore U-19, të vlefshme për fazën play-out, ku janë përcaktuar ekipet që do të qëndrojnë në këtë kategori dhe ekipet që nuk do të luajnë në elitë sezonin e ardhshëm janë zhvilluar të ndara në dy ditë.

Ditën e martë është përcaktuar ekipi i parë që do të bjerë nga Kategoria Superiore U-19. Shkëndija e Durrësit u mund me rezultatin 1-3 nga ekipi i Pogradecit, në një ndeshje mjaft delikate. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërkohë që në pjesën e dytë, ishin pogradecarët ata që zhbllokuan rezultatin me Alinjin në minutën e 53-të të takimit. Horanlli dyfishon shifrat për pogradecarët në minutën e 70-të ndërsa në minutën e 85-të, Pengu vulos rezultatin për Pogradecin. Për durrsakët, golin e vetëm dhe të nderit e shënoi Myzeqari në minutën e 90-të të takimit.

Të enjten u zhvillua sfida tjetër e vlefshme për fazën play-out, me ekipin e Dinamos që u mund nga Football Republic me rezultatin minimal, 0-1. Goli i vetëm i takimit, por që i siguroi qëndrimin në Superiore ekipit të Football Republic u shënua nga Hoxha në minutën e 80-të të takimit.

Dy ekipet që do të vijojnë qëndrimin në Kategorinë Superiore U-19 edhe për këtë sezon janë Pogradeci dhe Football Republic, ndërsa Shkëndija e Durrësit dhe Dinamo bien zyrtarisht nga Kategoria dhe vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm.

× WhatsApp