Kategoria Superiore U-17 / FC Internacional Tirana shpallet fitues i edicionit 2020-2021 - FSHF

Kategoria Superiore U-17 / FC Internacional Tirana shpallet fitues i edicionit 2020-2021

FC Internacional Tirana i moshës U-17 është shpallur sot ekipi fitues i Kategorisë Superiore U-17 për edicionin 2020-2021. Skuadra kryeqytetase arriti të triumfojë pasi mposhti në një finale emocionuese Akademinë e Futbollit me rezultatin 2-1 pas një 90-minutëshi të luftuar të luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” të Tiranës.

Në fakt, ishte Akademia e Futbollit që e nisi më mirë sfidën, teksa e pa veten në avantazh që në minutën e 5-të, pasi Gjoka arriti të dërgojë topin në rrjetë duke u treguar i saktë para portës. U duk se Akademia ishte në rrugë e duhur drejt titullit, pasi e mbylli pjesën e parë në avantazh 1-0, por në pjesën e dytë gjithçka do të ndryshonte.

FC Internacional Tirana do të gjente golin e barazimit në minutën e 53-të me Boçkën. Kur ndeshja po i afrohej fundit Internacionali bëri edhe goditjen e madhe, duke realizuar përmbysjen në minutën e 84-t, pasi sulmuesi Guci goditi saktë me të majtën në diagonale, duke mundur portierin e Akademisë.

Në minutat e fundit rezultati nuk ndryshoi me FC Internacional Tiranën që fitoi 2-1 dhe u shpall fituese e Kategorisë Superiore U-17.

Në përfundim të ndeshjes u zhvillua edhe ceremonia e organizuar nga FSHF me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Vasil Bicin, që i dorëzoi medaljet dhe trofeun ekipit kryeqytetas.