Kategoria e Parë U-19 / Lushnja ekipi kampion, edhe Bylis ngjitet në Superiore - FSHF

Kategoria e Parë U-19 / Lushnja ekipi kampion, edhe Bylis ngjitet në Superiore

Kategoria e Parë e moshës U-19 ka dhënë verdiktet e sezonit 2020-2021. FC Lushnja është shpallur kampione e kësaj grupmoshe pasi mundi Vorën me rezultatin 2-1 në ndeshjen e fundit të fazës play-off, që u luajt në kompleksin “Internacional” në Pezë Helmes. Ka qenë një sfidë mjaft emocionuese që është zgjidhur vetëm në minutat e fundit.

Skuadra lushnjare u rendit e para me 12 pikë të grumbulluara në 5 ndeshjet e play-off-it, ku morën pjesë 6 skuadrat e renditura në 2 vendet e para të tre grupeve të Kategorisë së Parë U-19.

Në përfundim të ndeshjes nga FSHF u organizua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut, që iu dorëzua ekipit kampion FC Lushnja.

Në ndeshjen tjetër KF Bylis – Durrësi 04 të luajtur po në kompleksin “Intermacion Tirana” gjithçka u mbyll në barazim 1-1, rezultat që i dha mundësi 19-vjeçarëve ballshiotë të renditen në vendin e dytë me 11 pikë, ndonëse ishin në lojë edhe për të rrëmbyer vendin e parë nëse do të merrnin tre pikët.

Gjithsesi, KF Bylis së bashku me FC Lushnjën do të luajnë sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore të moshës U-19.