Kategoria e Parë U-17 / Durrësi 04 shpallet ekipi kampion & ngjitet në Superiore - FSHF

Kategoria e Parë U-17 / Durrësi 04 shpallet ekipi kampion & ngjitet në Superiore

Skuadra Durrësi 04 është shpallur kampione e Kategorisë së Parë për moshën U-17 në përfundim të fazës play-off. Ekipi bregdetar u rendit i pari me 12 pikë të grumbulluara në 5 ndeshjet e play-off-it, ku morën pjesë 6 skuadrat e renditura në 2 vendet e para të tre grupeve.

17-vjeçarët durrsakë e kishin siguruar kësisoj kreun, ndonëse u mundën me rezultatin 5-2 nga skuadra FC Djelmnia Shkodrane 2017 në sfidën e fundit të luajtur në kompleksin “Internacional Tirana” në Pezë Helmes.

Me këtë fitore FC Djelmnia u rendit në vendin e dytë të play-off-it me 10 pikë dhe së bashku me Durrësi 04 ngjitet në Kategorinë Superiore U-17 sezonin e ardhshëm. Në përfundim të ndeshjes u organizua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut teksa ish-futbollisti i njohur, Bedri Omuri, i dorëzoi kupën e ekipit kampion Durrësi 04.

Në ndeshjen tjetër Studenti – Lushnja të luajtur po në kompleksin “Intermacion Tirana” në Pezë Helmes, ishte ekipi lushnjar që triumfoi me rezultatin 2-1 duke e mbyllur kështu sezonin në vendin e tretë me 9 pikë të grumbulluara në 5 sfida.

Sezoni do të mbyllet me ndeshjet e fundit të fazës play-off në Kategorinë e Parë për moshën U-19, ku do të përcaktohet ekipi kampion dhe skuadrat që do të ngjiten në Kategorinë Superiore U-19 në sezonin e ri.