Katar 2022/ Shqipëria fiton ndaj San Marinos - FSHF

Katar 2022/ Shqipëria fiton ndaj San Marinos

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka luajtur mbrëmjen e sotme ndeshjen e tretë eliminatore të vlefshme për Botërorin “Katar 2022”. Në transfertën ndaj San Marinos, kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 0-2, me dy gola të shënuar nga Rei Manaj dhe Myrto Uzuni.

Trajneri Reja e nisi lojën me këtë formacion: Strakosha, Ajeti, Gjimshiti, Veseli, Hysaj, Ramdani, Bare, Lenjani, Manaj, Laçi, Broja.

Futbollistët tanë dominuan të gjithë pjesën e parë, me lojën që ishte e zhvendosur vetëm në gjysmëfushën e San Marinos, por nuk arritën të gjenin golin e avantazhit. Në minutën e 13-të të takimit, Bare rrezikon portën e vendasve, por topi pritet nga portieri i San Marinos. Më pas tenton kapiteni Hysaj në minutën e 16-të dhe sërish Bare në minutën e 37-të të ndeshjes, por ishin të pafat.

Me fillimin e pjesës së dytë të lojës, trajneri Reja ndërhyri në formacion, duke hedhur në fushë larguar Qazim Laçin për Myrto Uzunin dhe Armando Brojën për Odise Roshin. Uzuni rrezikoi portën e San Marinos me hyrjen e tij, por i pafat për të shënuar golin e avantazhit.

Pas disa rasteve, Rei Manaj, në minutën e 63-të shfrytëzon një kros të Uzunit dhe e dërgon topin me kokë në rrjetë, duke zhbllokuar sfidën.

Goli i dytë i ndeshjes vjen në minutën e 86-të, me Uzunin që devijon goditjen e Veselit dhe dyfishon shifrat për kuqezinjtë.

Në minutën e 87-të, trajneri Reja vendos të hedhë në fushë Sokol Cikalleshin, duke larguar nga fusha Rei Manaj dhe një minutë më vonë, debuton me Kombëtaren Shqiptare Mario Mitaj, i cili i zë vendin Ermir Lenjanit.

Gjithçka u mbyll me shifrat 0-2, me Shqipërinë që renditet e treta në grupin I, pas tre ndeshjeve të luajtura, me dy fitore dhe një humbje.