Kampionati vajzave / Vllaznia dhe Tirana ndajnë kreun e renditjes - FSHF

Kampionati vajzave / Vllaznia dhe Tirana ndajnë kreun e renditjes

Janë luajtur këtë fundjavë të gjitha ndeshjet e javës së shtatë të kampionatit të vajzave. Katër prej sfidave u luajtën ditën e shtunë, ndërsa takimi Tirana – Lushnja u luajt këtë të diel në kryeqytet.

Asnjë surprizë nga pretendetentet për titull në këtë javë të shtatë, që në letër kishin sfida të lehta. Apolonia mundi Skëndërbeun në shtëpi me shifrat 7-0, në një sfidë ku dominuan totalisht fieraket, të cilat kaluan në avantazh që në minutën e 17-të me Valentina Trokën, e cila e mbylli ndeshjen me 6 gola të shënuar. Për Apoloninë shënoi dhe Kea Hamonikaj duke i dhënë kështu një tre pikësh shumë të rëndësishëm fierakeve, të cilat pas shtatë javësh renditen në vendin e tretë, me 6 fitore dhe një humbje.

Asnjë surprizë nga Tirana e Vllaznia, dy ekipet që renditen në vendin e parë dhe të dytë të klasifikimit me të njëjtën kuotë pikësh. Vajzat bardheblu triumfuan me goleadë kundër Lushnjes, një sfidë e lehtë për kryeqytetaset, të cilat këtë sezon e kanë nisur shumë mirë kampionatin, ndërsa myzeqaret ende nuk e kanë bërë ‘sefte’ këtë edicion, duke u renditur në vendin e fundit me 0 pikë. Takimi përfundoi me rezultatin 19-0.

Pas ndeshjes në Paris, kundër francezeve të Paris Saint-Germain, Vllaznia udhëtoi drejt Tiranës, ku luajti sfidën e javës së shtatë kundër Kinostudios. Shkodranet morën tre pikësh e radhës në kampionat, duke triumfuar kundër kryeqytetaseve me shifrat 0-7 falë dopietave të Shalës, Lufos, Doçit dhe golit të 16 vjeçares Klaudja Borçi.

Partizani u rikthye te fitorja pas barazimit në shtëpi me Laçin javën e kaluar. Kryeqytetaset mundën Kukësin në transfertë me shifrat 0-6, duke u renditur në vendin e pestë me 10 pikë pas shtatë javësh. Në takimin tjetër të javës, Laçi – Teuta triumfuan vajzat durrsake 1-2 me përmbysje, me Laçin që kishte kaluar në fillim në avantazh me Cakën ndërkohë që Teuta përmbysi falë dopietës së Estrela Habilit.

Ndeshjet e javës së shtatë në kampionatin e vajzave:

Apolonia 7-0 Skënderbeu 

Kukësi 0–6 Partizani

Laçi 1–2 Teuta

Tirana 19–0 Lushnja

Kinostudio 0-7 Vllaznia 

Renditja aktuale:

Vllaznia 21 pikë

Tirana 21 pikë

Apolonia 18 pikë

Kinostudio 12 pikë

Partizani 10 pikë

Kukësi 6 pikë

Teuta 6 pikë

Skënderbeu 3 pikë

KF Laçi 1 pikë

Lushnja 0 pikë