Kampionati U-15 i femrave / Lushnja dhe Elbasani triumfojnë në Grupin B - FSHF

Kampionati U-15 i femrave / Lushnja dhe Elbasani triumfojnë në Grupin B

Kampionati Kombëtar U-15 për femra, turneu i zhvilluar nga Federata e Futbollit, vijon të zhvillojë me sukses aktivitetin e saj javë pas jave në grupet A dhe B.

Të dielën, në qytetin e Lushnjes është zhvilluar derbi myzeqar mes Lushnjes dhe Apolonisë, ndeshje që ka përfunduar në favor të lushnjareve. Një lojë e mirë nga të dyja ekipet, që pavarësisht moshës premtojnë shumë për të ardhmen e futbollit të femrave në Shqipëri. Tre herë shënuan lushnjaret në portën e fierakeve, të cilat nuk arritën të shënojnë më shumë se një gol, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin final 3-1.

Ndërkohë këtë të hënë është zhvilluar edhe ndeshja tjetër e javës së tretë e Grupit B mes Pogradecit dhe Elbasanit. Sfida e luajtur në qytetin e Pogradecit përfundoi në favor të mikeve, të cilat fituan me rezultatin 1-3 në një ndeshje jo të lehtë.

Pas javës së tretë, Elbasani renditet në vendin e tretë duke parakaluar liqenoret ndërsa Lushnja udhëheq me pikë të plota pas fitores ndaj fierakeve që gjenden në vendin e dytë me 6 pikë.

Kampionati Kombëtar U-15 për femra

Java e tretë, Grupi B

Lushnja – Apolonia           3-1
Pogradeci – Elbasani        1-3

Renditja pas javës së tretë

Lushnja 9

Apolonia 6

Elbasani 3

Pogradeci 0