Kampionati U-15 i femrave / Lushnja dhe Apolonia triumfojnë në Grupin B - FSHF

Kampionati U-15 i femrave / Lushnja dhe Apolonia triumfojnë në Grupin B

Turneu më i ri i organizuar nga FSHF, kampionati kombëtar i moshës U-15 për femra ka nisur të tërheqë vëmendje dhe interes nga vajzat e reja në të gjithë vendin. Prej më shumë se një muaji, ky turne ka nisur të luhet në të gjithë Shqipërinë, teksa të dielën në Elbasan u luajtën edhe dy ndeshjet e Grupit B, me Lushnjën që mundi Elbasanin 2-1, ndërsa Apolonia fitoi me poker golash ndaj Pogradecit.

Këto ndeshje u ndoqën edhe nga përgjegjësi i sektorit të futbollit të femrave në FSHF, Florian Riza, i cili tha në një prononcim për Fshf.org se ky kampionat ka shumë benefite për vajzat që i janë bashkuar futbollit.

“Federata Shqiptare e Futbollit është gjithmonë e gatshme për promovimin e futbollit të femrave e të vajzave, duke i stimuluar ato si materialisht, financiarisht dhe moralisht për të qenë futbollistet e ardhshme të Elbasanit dhe të Lushnjes. Mendojmë se ky është një kampionat që i bën vajzat të shëndetshme, u jep atyre të gjitha benefitet e duhura që ofron futbolli dhe shpresojmë që e ardhmja të jetë e ndritur për to”, – u shpreh Riza.

Ndërsa, trajneri i Elbasanit U-15 për femra, Ilir Hoxha, vlerësoi nismën e FSHF-së dhe është i bindur se pjesëmarrja e vajzave të turne të tillë është mjaft e vlefshme.

“Falënderoj jashtë mase FSHF-në që ka organizuar këtë kampionat me pjesëmarrje shumë të madhe për femrat, sepse është shumë e rëndësishme që femrat të ushtrojnë sportin. Sa i përket pjesëmarrjes, kemi pasur vështirësi, por themi që ia kemi arritur qëllimit me pjesëmarrjen tonë. Presim rezultate dhe që ndikimi i sportit në shoqëri të jetë më i mirë. U bëj apel edhe prindërve që t’i nxisin vajzat të marrin pjesë në futboll”, – tha Hoxha.

Në të njëjtë linjë është edhe trajneri Lushnjës U-15, Hekuran Korreshi, i cili falënderon të gjithë ata që po angazhohen për organizimin e këtij kampionati.

“Po mundohemi të organizojmë me anë të mundësisë që na ka dhënë Federata e Futbollit një turne shumë të veçantë siç është kampionati kombëtar U-15 për femra. Falënderoj Elbasanin, Apoloninë, Pogradecin dhe të gjitha klubet që angazhohen për këtë kampionat”, – theksoi Korreshi.

Kapitenia e Lushnjës U-15, Anversa Muça, u bëri thirrje të gjitha vajzave moshatare që t’i bashkohen futbollit: “Jam e lumtur që jam pjesë e ekipit të Lushnjës dhe u bëj thirrje të gjitha vajzave që të na bashkohen, të argëtohen dhe pse të mos bëhet kështu dikush në jetë”, – tha Muça, kurse kapitenia e Elbasanit U-15, Xhoi Hasa, shpreson që vajzat ta përfaqësojnë sa më mirë emrin e qytetit të tyre. “Të gjithë vajzat e Elbasanit vijnë në ekipin tonë të marrin pjesë, sepse përfaqësojmë Elbasanin dhe mund ta çojmë Elbasanin në një nivel më të lartë”, – tha Hasa.

Kampionati Kombëtar U-15 për femra

Java e dytë, Grupi B

Elbasani-Lushnja               1-2

Apolonia-Pogradeci         4-0