Kampionati i parë Kombëtar i femrave U-15 drejt fundit, nesër përcaktohet finalja - FSHF

Kampionati i parë Kombëtar i femrave U-15 drejt fundit, nesër përcaktohet finalja

Kampionati Kombëtar U-15 për femra është risia e këtij viti e Federatës Shqiptare të Futbollit. Siç dihet tashmë një ndër prioritetet kryesore të saj ka futbollin e femrave, për të rritur numrin e vajzave që luajnë futboll si dhe cilësinë.

Këtë të diel (22 maj), do të zhvillohen ndeshja e dytë e kthimit për fazën gjysmëfinale të këtij edicioni të parë të kampionatit U-15.

Vllaznia është finalistja e parë e këtij edicioni. Javën e kaluar, vajzat e Lushnjes udhëtuan drejt Shkodrës, aty ku u përballën me ekipin e Vllaznisë. Loja ishte mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat, por në fund u fitua nga shkodranet me rezultatin 3-1. Ndeshja e kthimit u zhvillua ditën e djeshme, ku Vllaznia fitoi me rezultatin e pastër 3-0 në stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnje, duke prerë biletën për në finale.

Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, Kinostudio do të përballet me Apoloninë, ku në ndeshjen e parë, fieraket kanë triumfuar me një gol. Edhe kjo ndeshje është e hapur dhe Kinostudio do të kërkojë të përmbysë rezultatin, duke pasur avantazhin e të luajturit në shtëpi.

Kështu, ditën e nesërme do të përcaktohet ekipi i dytë finalist, ndërkohë që finalja do të luhet pas një jave (29 maj) në Tiranë.