Kampionati Kombëtar i vajzave U-15 / Triumfojnë Teuta e Vllaznia në Grupin A - FSHF

Kampionati Kombëtar i vajzave U-15 / Triumfojnë Teuta e Vllaznia në Grupin A

Një tjetër kampionat i është shtuar kategorisë së futbollit të femrave, që është edhe një nga prioritetet absolute të Federatës së Futbollit. Kampionati kombëtar i futbollit për femra U-15 ka startuar ditën e shtunë, me dy ndeshje që janë luajtur në Durrës.
Si do të funksionojë? – Në këtë kampionat do të marrin pjesë 8 ekipe, të cilat do të jenë të ndara në dy grupe, A dhe B. Në Grupin A do të jenë katër skuadra, Murlani, Vllaznia, Kinostudio dhe Teuta, ndërsa në grupin B do të marrin pjesë katër ekipe të tjera, Apolonia, Lushnja, Elbasani dhe Pogradeci.

Ndeshjet do të luhen me sistemin vajtje-ardhje, sipas shortit të përcaktuar. Dy vendet e para të grupeve do të luajnë gjysmëfinale, me sistemin vajtje-ardhje dhe më pas dy nga ekipet do të kalojnë në finalen e kompeticionit. Çdo skuadër ka në përbërje të saj 9 lojtarë. Ndeshjet do të jenë të ndara në dy pjesë, me 35 minuta çdo pjesë.

Ndeshjet e para të këtij kompeticioni janë luajtur ditën e shtunë. Në grupin A, Murlani është përballur me Teutën, me një sfidë emocionuese, ku bregdetaret shënuan fitoren e parë në grup dhe regjistruan shifrat 0-4. Nga ana tjetër, Kinostudio gjeti Vllazninë, ku shkodranet ia dolën të shënojnë shtatë herë në portën e kryeqytetaseve (0-7).
Kështu, pas dy ndeshjeve të para në grupin A, renditja pas javës së parë është:

1. Vllaznia 3 pikë
2. Teuta 3 pikë
3. Murlani 0 pikë
4. Kinostudio 0 pikë

Ndeshjet e tjera të grupit A do të luhen më 20 shkurt, ku Murlani do të gjejë Kinostudion në shtëpi ndërsa Teuta do të presë Vllazninë në Durrës.

Grupi B do të nisë garën më datë 13 shkurt, ku Apolonia do të presë Elbasanin në Fier, ndërsa Pogradeci do të përballet me Lushnjën në po të njëjtën ditë.