Kampionati Kombëtar i femrave U-15/ Vllaznia - Apolonia, finalja e madhe - FSHF

Kampionati Kombëtar i femrave U-15/ Vllaznia – Apolonia, finalja e madhe

Vllaznia – Apolonia është finalja e madhe e Kampionatit Kombëtar për femra U-15.

Ky kampionat, i organizuar për herë të parë nga Federata e Futbollit e që nisi në muajin shkurt të këtij viti ka si qëllim masivizimin e futbollit të femrave dhe rritjen e cilësisë.

Vllaznia, finalistja e parë e këtij edicioni të parë kishte përballë ekipin e Lushnjes, të cilat i mundi me rezultatin final 6-1. Ndeshja e parë u luajt javën e kaluar në Shkodër, ku nën 15 vjeçaret fituan 3-1 ndërsa këtë fundjavë, shkodranet udhëtuan drejt Lushnjes, aty ku zhvilluan ndeshjen e kthimit e ku arritën të fitonin me rezultatin 0-3, në një ndeshje të mbushur me emocione për të dyja ekipet.

Ndërkaq, finalistja e dytë është Apolonia. Fieraket mundën vajzat e Kinostudios me rezultatin përfundimtar 3-2. Në ndeshjen e parë Apolonia fitoi minimalisht 1-0. Ndeshja e kthimit, që u zhvillua ditën e djeshme në Tiranë ishte mjaft e luftuar, me vajzat e Kinostudios që përmbysën rezultatin në pjesën e parë, duke shënuar dy gola. Por fieraket arritën të barazojnë në pjesën e dytë, duke kaluar kështu në finale falë fitores minimale në ndeshjen e parë.

Kështu, fituesja e këtij sezoni të parë e këtij kampionati do të diskutohet mes Vllaznisë dhe Apolonisë, në finalen e madhe që do të zhvillohet më 29 maj në Tiranë