Kampionati Kombëtar 5×5 / Pepa 5x5 shpallet kampione në grupin e Elbasanit - FSHF

Kampionati Kombëtar 5×5 / Pepa 5×5 shpallet kampione në grupin e Elbasanit

Edicionit të parë të kampionatit kombëtar të futbollit 5×5 po i vjen fundi, teksa kampionati është mbyllur në disa zona.

Skuadra e Pepa 5×5 është shpallur kampione e grupit të Elbasanit, pas 18 javësh të luajtura, duke mbledhur 50 pikë dhe duke mos u mundur në asnjë ndeshje.

Fituesit , në ceremoninë e rastit të organizuar nga FSHF-ja, kanë marrë trofeun dhe medaljet e kampionit nga drejtuesi i futbollit 5×5, Lysien Nurishmi dhe Bujar Gogunja, një emër i madh i futbollit elbasanas.

Pepa 5×5 do të marrë pjesë në fazën play-off, ku ekipet fituese të çdo zone rajonale do të përballen me njëri-tjetrin për të përcaktuar edhe ekipin kampion në rang kombëtar, në edicionin e parë të zhvillimit të këtij kampionati, risi e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Pas ndeshjes, një nga lojtarët, Donald Varfi falenderoi FSHF-në për organizimin e kampionatit 5×5, ndërsa i bëri thirrje të gjithëve të marrin pjesë.

“Në radhë të parë falenderojmë Federatën Shqiptare të Futbollit për organizimin shumë të mirë të këtij kampionati. Shpresojmë që këto evenimente të na shoqërojnë çdo vit, jo vetëm këtë vit. Kampionatin besojmë se e merituam dhe shpresojmë se vitin tjetër do jemi akoma më solidë e më të fortë. Ky është një nga evenimentet që nuk duhet refuzuar dhe i bëj thirrje të gjithëve të marrin pjesë”- tha Varfi në fjalën e tij.

Ndërkaq, një tjetër lojtar i këtij ekipi, Bledar Lena në prononcimin dhënë për fshf.org tha: “Ishte kampionat shumë i vështirë, kishte rivalitet shumë të fortë. Besoj se fitoi skuadra që bëri më pak gabime. Ky është kampionat amator dhe për qejf dhe lojtarët nuk duhet të kenë ndrojtje. Futbolli të jep kënaqësi”- përfundoi Lena.